Mesazhi i Ipeshkvit

0
3090

“Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë”

(Gj 1, 9)
Shumë të dashur meshtarë, rregulltarë, rregulltare dhe seminarist,
të dashur besimtarë,
të dashur ju persona të varfër dhe të sëmurë të dioqezës së Sapës,

më lejoni që përmes këtyre fjalëve që dalin nga zemra të vij pranë jush me rastin e festës së Krishtlindjes.
Edhe këtë vit së bashku jemi munduar të përgatitemi për misterin e Krishtlindjes. Përmes angazhimeve shpirtërore që përjetuam në Kohën e Shenjtë të Ardhjes, në të gjithë Dioqezën, tashmë gjendemi përpara ku, “Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë” (Gj 1,9).
Përballë këtij misteri, besimtarë të dashur, më lejoni që në këtë Krishtlindje, në mënyrë të veçantë të vendosem edhe unë për të soditur Foshnjën Hyjnore krah për krah me të sëmurët, të varfrit si dhe të gjithë bijtë dhe familjen Dioqezane të Sapës kudo nëpër botë, që vështirësitë e ndryshme jetësore i kanë ndarë prej familjeve dhe të afërmve.
Të gjithë ne vëllezër e motra të dashur mund t’i ofrojmë kësaj Foshnje varfërinë, terrin që na karakterizon në këtë Krishtlindje. Po ashtu, në të njëjtën kohë secili nga ne është i ftuar t’ia hapim zemrën kësaj Foshnje Hyjnore, dhe të ndriçohet nga kjo Dritë që shndrit gjithësinë, sepse falë soditjes së Tij ne na ofrohet mundësia ta shohim realitetin me një sy tjetër, duke e shijuar fuqinë e brendshme të dashurisë së Zotit, dashuri e cila e shndërron gjithë jetën tonë me rrezet e tija. Jezusi, i lindur në varfërinë e Betlehemit dëshiron të bëhet mik udhe i çdokujt që vuan në mjerimin dhe skamjen, apo vështirësitë e ndryshme sociale. Po çfarë të thuash për ata, që, pa shprese, janë të detyruar të lënë shtëpitë dhe atdheun e vet për të kërkuar diku tjetër një jetë më të mirë. Çdo ditë po largohen. Nuk shohin një dritë shprese për të jetuar denjësisht, por gjithnjë po i shtohet papunësia, e cila sjell veç skamje dhe mjerim.
Në Krishtlindje kremtohet kjo grishje: “Ejani të shkojmë, pra, deri në Betlehem e të shohim çka ndodhi-ngjarjen që na e kumtoi Zoti” (Lk 2.15), që të përkulemi në adhurim para Foshnjës Hyjnore dhe duke pranuar me zemër bujare gjithçka Ai na flet.
Të gjithë ne duhet ta shohim tek të tjerët atë Dritë të vërtet që e njohim dhe e shohim me sytë tanë, sepse tashmë është në mesin tonë: “E gjetën Marinë, Jozefin dhe Foshnjën të vënë në grazhd” (Lk 2.16). Pikërisht aty ndriçon një dritë për të gjitha kohërat, aty përjetohet gëzimi, lind kënga e jetës sonë: Krishti dje, sot dhe përgjithmonë!
Krishti lind dhe vjen përsëri në mesin e njerëzve të tij të dashur, atyre që u jep forcë të bëhen bijtë e Tij; u jep mundësinë të shohin lavdinë hyjnore dhe të bashkëndajnë gëzimin e Dashurisë, që në grazhd të Betlehemit u bë njeri si ne. Ja, Shpëtimtari ynë, lindi dhe erdhi në botë, sepse bota ka nevojë më shumë se kurrë sot për këtë Dritë që i ndriçon hapat tanë.
Duhet të angazhohemi çdo ditë për të ndërtuar së bashku një Shqipëri ku ka drejtësi dhe paqe. Ky angazhim kuptohet dhe ndërmerret vetëm falë soditjes së Foshnjës Hyjnore. Vetëm në Hyjin që bëhet njeri për ne, e ndiejmë veten të dashur dhe të pranuar duke zbuluar se jemi të çmuar, bij e bija të Hyjit, vëllezër dhe motra mes nesh.

Për shumë vjet Krishtlindjen!
Imzot Simon Kulli
Ipeshkëv i Dioqezës Sapë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here