Festa e Vizitës së Zojës Mari tek Elizabeta

Dita e fundit e muajit maj qëështë dhe festa e Vizitës së Zojës Mari tek Elizabeta, shënon dhe mbylljen e këtij muaji i cili i kushtohet nënës sonë të dashur, Zojës së Bekuar. Është një muaj me plot devocion ku rruzarja e shenjtë I kushtohet pikërisht kësaj nëne të dashur për mbarë njerëzimin. E në mbyllje të këtij muaji, dioqeza e Sapës organizoi shtegtimin dioqezan për besimtarët në kishën “Lindja e Zojës” në Dejë, ku dhjetëra besimtarë, mes tyre edhe familjet, shtegtuan prej famullive të ndryshme për ta përjetuar këtë ditë me zemër dhe në lutjen e mrekullueshme të Zojës “Shpirti im e madhëron Zotin – Magnificat”.

I pranishëm ishte edhe bariu i grigjës, Imzot Simon Kulli, i cili udhëhoqi kremtimin eukaritik në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë të dioqezës. Gjatë homelisë së tij Imzot Kulli tha se “Kisha na paraqet Virgjërën Mari si model dhe shembull në shkollën e fesë. Nëna e jonë qiellore nga kjo shenjtërore na mëson se si duhet edhe ne, në qetësinë e zemrës të dimë të bashkëpunojmë me Zotin dhe të jetojmë me të. Në vazhdim, ipeshkvi iu bëri thirrje familjeve, që të jenë pasqyrë besnike e fytyrës së Zotit. Nga familja varet e gjithë shoqëria njerëzore. Ai ftoi familjet që të lusin Rruzaren çdo natë në familje, sepse lutja e mban familjen dhe e bën edhe më të fortë. “Gjej kohë për Zotin, është çelësi që të çon në qiell”thoshte Nënë Tereza. Dhe me thirrjen: mos të lejojmë dhe mos ta pranojmë në familjet tona frymën shkatërruese e të përçarjes që po na kërcënon në forma të ndryshme, por të ndihmuar nga Virgjëra Mari dhe Martirët tanë, të mësojmë ta gjejmë kuptimin dhe gëzimin e jetës sonë -përfundoi predikimin e rastit ipeshkvi”.

Të gjithë besimtarët në këtë meshë shenjtë lartësuan lutjet e tyre në elterin e shenjtë duke i kërkuar Zojës hiret dhe bekimet e saj për jetën e secilit.

Violeta Marashi

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here