Nën organizimin e Komisionit Dioqezan të Jetës Rregulltare,  pasditën e datës 12 nëntor 2019, u mbajt takimi i rregulltarëve dhe rregulltareve pranë Bashkësisë së Motrave Dorote në Vau Dejës. Është një iniciativë e re e këtij komisioni i cili do të mbajë takime të tilla të paktën një herë në tre muaj pranë bashkësive të ndryshme të dioqezës së Sapës, me qëllimin për të bashkëndarë momente lutjeje, formimi e vëllazërimi me njëri-tjetrin.

Në takimin e radhës, meshtari karmelitan At Paolo Barbiano di Belgioso, i cili është dhe kryetari i këtij komisioni, i njohu të pranishmit mbi ecurinë dhe të rejat e Këshillit të Lartë të Eprorëve, dhe njoftoi edhe për aktivitetet në vazhdim. Më pas, meshtari kapuçin At Bonaventura Moossuto mbajti temën për diskutim si dhe drejtoi lutjen e përbashkët, një moment mjaft domethënës ky, ku të gjithë së bashku drejtojnë lutjet kah Hyji për mbarëvajtjen e jetës dhe të së mirës së përbashkët.  Po ashtu gjatë takimit rregulltarët shpalosën pjesë të misionit të bashkësive të tyre, një rast mjaft i volitshëm për bashkëndarje të eksperiencave të ndryshme, si dhe u theksuan edhe propozime të ndryshme për situatën aktuale.

Gjithashtu, Motrat Dorote ofruan edhe darkën vëllazërore, pjesë e së cilës ishte edhe Bariu i kësaj grigje, Imzot Simon Kulli, i cili shprehi gëzimin dhe mirënjohjen që bashkësitë e rregulltarëve gjejnë kohën dhe momentet që të mblidhen në takime të tilla, ku përmes punës dhe misionit të tyre japin fryte në bashkësitë e besimtarëve ku ato veprojnë.

 

Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here