Mesazhi i Ipeshkvit të Sapës me rastin e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri 2021 

Shumë të dashur,

Dëshiroj si Bari i kësaj Dioqeze që urimet e mija që lindin nga zemra të arrijnë tek secili prej jush, në jetën tuaj të përditshme, në punën tuaj; aty ku janë të dashurit tuaj, familjet tuaja; aty, përgjatë rrugëve, në shtëpitë dhe sheshet e qyteteve dhe fshatrave tona, sepse Zoti vjen “të banojë në mesin tonë », në historinë dhe momentet e çdo dite.

Krishtlindja na kujton se si Zoti vjen dhe mishërohet ndër ne dhe në mjediset tona të jetës, dhe mbi të gjitha, atje ku ka trishtim, vuajtje dhe sëmundje si kjo që po jetojmë në këto ditë të pandemisë Kovid 19. Ndaj, në këtë kohë dhe gjithmonë, të gjithë ne jemi thirrur të shpallim Ungjillin dhe të themi që Zoti është pranë nesh, se Ai është me ne edhe kur jemi “të lodhur, të shtypur dhe të sëmurë”.

Kuptimi i thellë i Krishtlindjes – ajo që në të vërtetë festojmë në këtë festë – është besnikëria e Zotit, gatishmëria e tij e vazhdueshme për ne: Zoti është gjithmonë besnik, edhe kur nuk arrijmë ta perceptojmë atë nga lodhja e jetës sonë të përditshme. Zoti nuk na harron, nuk na lë, ai është i pranishëm. Krishtlindja, çdo vit, na kujton se Ai është gjithmonë afër nesh dhe me ne. Jezusi që vjen na paraqet fytyrën e Zotit që na do, që na kërkon, që na vjen në takim, që na do dhe merr mbi vete vështirësitë dhe dobësitë tona.

Natën e Krishtlindjes do të dëgjojmë këto fjalë në kishat tona: Maria “lindi djalin e vet të parëlindurin, e mbështolli në shpërgënj dhe e vendosi në grazhd, sepse në bujtinë nuk pati vend për ta” (Lk 2: 7). Biri i Zotit bëhet njeri, por njerëzit nuk e mirëpresin dhe Ai duhet të vendoset në grazhd tek një shpellë. Maria dhe Jozefi paraqiten në “konakun e Betlehemit”, por nuk ka vend për ta dhe refuzohen; ata qëndrojnë jashtë dhe nuk mund të hyjnë. Ata do të duhet të vendosen tek një shpellë, një strehim i improvizuar ku të gjithë mund të hyjnë,sepse shpella nuk ka dyer, të cilat parandalojnë hyrjen.

Jam i bindur që urimet e mija dhe kjo siguri e “Jezusit Foshnjë” të arrijë tek të gjithë njerëzit që nuk mund të vijnë në Kishat dhe bashkësitë tona në këto ditë, nuk mund të marrin pjesë në gëzimin e festës së bashku sepse ata janë të sëmurë, të moshuar ose të penguar për arsye të tjera. Dhe unë do të doja që, këtë siguri të besnikërisë të Zotit Jezus të arrinte me simpati dhe dashuri të veçantë – si një balsam që lehtëson plagët – për ata që jetojnë në situata të shqetësimit, dhimbjes, shtypjes dhe vështirësisë. Lajmërimi i engjëllit në natën e shenjtë le të na mbështesë dhe të na japë shpresë në këtë kohë të vështirë që po kalojmë: “Mos kini frikë!  Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! Sot, në qytet të Davidit, ju lindi Shëlbuesi- Krishti Zot! “. (Lk 2, 10-11)

Për shumë vjet Krishtlindja dhe Viti i Ri 2021!

Ipeshkvi Juaj

+ Mons Simoni 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here