Ashtu si në mbarë botën, edhe Dioqeza e Sapës kujtoi Shën Terezen e Kalkutës, bijën e popullit shqiptar, motrën e bamirësisë, nënën e të varfërve dhe të të pastrehëve, humanisten botërore.  Në ditën e shënuar të saj, 5 shtatorin, Shenjtëresha u kujtua nëpërmjet kremtimit të Meshës Shenjte dhe aktiviteteve të tjera të organizuara nga famullia e Shën Kollit.

Mesha e Shenjtë u mbajt në Katedralen kushtuar Nënë Terezes në Vau Dejës, udhëhequr nga ipeshkvi i vendit Imzot Simon Kulli, në bashkëkremtim me famullitarin dom Mark Shtjefni. Në këtë kremtim, morën pjesë besimtarë të shumtë të famullisë, si dhe personalitete nga shoqëria civile. Por për shkak të pandemisë e cila po merr përmasa të gjera, nuk mund të organizohej pjesëmarrja besimtarëve në nivel dioqezan dhe e miqve të Nënë Terezes, që janë Personat me Aftësi Ndryshe.

Gjatë homelisë së rastit, ipeshkvi u ndal në figurën e Shën Terezes së Kalkutës, i cila është shembulli i jashtëzakonshëm i bamirësisë së heshtur, që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit të kryqëzuar. Nënë Tereza është shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës, duke u bërë burim frymëzimi për familjen e saj shpirtërore. Edhe sot jeta dhe vepra që na la Nënë Tereza janë dëshmi dhe ikonë e dashurisë së Zotit ndaj njerëzimit e posaçërisht ndaj më të varfërve e të mënjanuarve, shembull përkushtimi e shërbimi vëllazëror për të gjithë ne – përfundoi imzot Simoni.

Festa e Nënë Terezes ka vazhduar gjatë ditës edhe me aktivitete të tjera kulturore dhe artistike  të organizuar nga famullia Shën Kollit në bashkëpunim me Bashkinë Vau Dejës.

Qytetarët kaluan një pasdite të mbushur me aktivitete ku u zhvilluan lojëra të ndryshme bamirësie të drejtuar nga Famullitari Dom Marku dhe të rinjtë e qytetit tonë, duke krijuar kështu një atmosferë ndryshe nën shoqërinë e muzikës live nga këngëtarët më të mirë të qytetit.

Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here