Në prag të Krishtlindjes, me 14 dhjetor 2021, Ipeshkvi i dioqezës së Milanos në Itali, Mons. Mario Delpini zhvilloi një vizitë dy ditore në Ipeshkvinë e Sapës. I pritur nga Ipeshkvi i vendit Mons. Simon Kulli, në rezidencën e tij, Mons. Delpini i shoqëruar nga meshtari i tij, Dom Maurizio Zago, pati rastin të merrte pjesë edhe në takimin Dioqezan të organizuar edhe me Meshtarët, Motrat dhe Asistentët Patoral.
Në fillim Mons. Simoni i uroj mirëseardhjen dhe e falenderoi përzemërsisht Ipeshkvin e Milanos, për praninë e tij në Dioqezën e Sapës sa të lashtë aq dhe historike, ku shprehi edhe miqësinë dhe dashurinë që kjo dioqezë ka treguar prej vitesh duke bashkëpunuar në misionin pastoral në famullinë e Blinishtit, përmes dërgimit të meshtarëve Fidei Donum në shërbim të besimtarëve tanë. E në shenjë të kësaj mirënjohjeje që kisha lokale e Sapës gëzon për këtë miqësi disavjeçare, Mons. Mario mbajti edhe një ligjëratë në lidhje me Sinodin. E në të njëjtën ai falenderoi ipeshkvin e Sapës për mikpritjen, e aq më tepër edhe për këtë takim me gjithë Asamblenë Dioqezane, duke u ndjerë mjaft i vlerësuar. Njëkohësisht premtoi edhe vazhdimin e këtij misioni mes dy dioqezave, të cilat tashmë janë dy kisha si motra që shërbejnë në të mirën e Kishës dhe të besimtarëve.
Gjatë vizitës së tij, Ipeshkvi i Milanos vizitoi edhe famullinë e Blinishtit, ku shërben meshtari i tij, misionari, Dom Alberto Gallimberti. Ai kremtoi Meshën Shenjte në këtë famulli dhe takoi personalisht edhe besimtarët ku bashkëndau momente të gëzuara dhe të paharruara me to. I jemi falenderues Hyjit për këto dhurata që në forma dhe momente të ndryshme i bëhen Dioqezës së Sapës.
Violeta Marashi