Pas përfundimit të Kohës së Pashkëve, këtë të diele u kremtua Festa e Rrëshajve edhe në Dioqezën e Sapës. Ndërsa u përgatitëm me kujdes për të festuar Misterin e Rrëshajave, ndryshe nga herët e tjera, Vigjilja e Rrëshajave është kremtuar me të rinjtë e krezmuar të të gjithë dioqezës, ku për herë të para me ftesë të bariut të Sapës, Imzot Simon Kulli, të rinjtë e krezmuar gjatë këtij viti u bashkuan në Katedralen Nënë Tereza, për ta rikujtuar ngjarjen e ditës duke shikuar Çenakullin, ku dishepujt ishin të zellshëm e të bashkuar në lutje, bashkë me disa gra dhe me Marinë, Nënën e Jezusit.
Ky kremtim nisi me procesionin e të rinjëve sipas famullive, dhe hynë në Katedrale me një qiri të ndezur, duke kujtuar Dritën e Krishtit dhe pagëzimin tonë. Më pas u mbajt Adhurimi i të Shenjtërueshmit Sakrament shoqëruar me lutje, këngë, meditime dhe reflektime mbi 7 Dhuratat e Shpirtit Shenjtë, ku secili i kërkoi Zotit që me Shpirtin Shenjtë të jetë prani e embël, për t’u bashkuar me Të n’vullnetin e Tij.
Vigjilja pasoi edhe me Kremtimin e Eukaristisë Shenjte, udhëhequr nga Ipeshkvi i vendit, Imzot Simoni në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë. “Pikërisht për Rrëshajë, Jezusi e dërgoi Shpirtin Shenjt mbi Apostujt, e kjo ngjarje shënon lindjen e Kishës, fillimin e misionit të saj në botë. Festa e Rrëshajve na siguron se Zoti nuk ka braktis kurrë, por Ai është gjithmonë përjetësisht në udhën tonë, si mik i ngushtë dhe besnik – tha në fjalën e rastit Imzot Simoni. Duke iu drejtuar të rinjëve, ai porositi: hapjani zemrën Shpirtit Shenjte, që, ashtu si u ka dhënë jetë eshtrave të thata, si ua ka hequr frikën apostujve dhe ua ka shndërruar jetën duke i vënë në misionin e Kishës, po i njëjti Shpirt Shenjtë të veprojë brenda teje, duke t’i larguar frikat dhe duke treguar Vullnetin e Zotit tënd, që të vihesh në shërbim të Trupit të Krishtit”.
Me këto momente hiri dhe me bekimin solemn të ipeshkvit, të rinjtë e jetuan këtë mbrëmje plot me Shpirtin Shenjt dhe morën me vete dhuratat e Tij dhe premtimin për të qenë dëshmitarë të Ungjillit të Zotit tonë Jezu Krishtit.
Kujtojmë se të dielen e rrëshajave, 30 të rinjë e të reja të famullisë së “Shën Kollit” në Vau Dejës, morën sakramentin e Krezmimit, morën dhuratat e Shpirtit Shenjtë, përmes së cilës tashmë këto të rinjë i dorëzohen këtij Shpirtit Shenjtë dhe i kërkojnë të orientohen në vullnetin e Atit.
Violeta Marashi