Në javën e parë të muajit gusht, (datë 6 gusht 2022), Curraj Epër ishte në festë. Ky fshat gëzoi në bekimin e kishës së Shna Ndout me pjesëmarrjen e shumë besimtarëve të ardhur nga vend të ndryshme të kësaj zone. Bekimi i kishës u bë nga Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli i cili tha se jemi mbledhur sot në gëzimin e bekimit të kishës, kushtuar Shna Ndout, i cili është ndër shenjtërit më të dashur për popullin tonë.

Zoti ynë është një Zot që rri afër njerëzve, që njeh jetën, vuajtjet, gëzimet dhe shpresat tona. Ai është Hyji i vetëm, Hyji i shpëtimit. Ne jemi populli i tij. Një popull i bashkuar me besim në Krishtin. Ne jemi një familje, familja e të pagëzuarve, e cila mblidhet rreth tryezës së Eukaristisë për t’u ushqyer prej të njëjtës bukë, bukë e cila zbriti prej qiellit për të na ushqyer për jetën e amshuar.

Kisha e Shna Ndout në Curraj e ka zanafillën e ndërtimit të saj, që në vitin 1897. Viti i mbarimit të punimeve të kishës është faktuar nga mbishkrimi në gurin e latuar në ballinë të saj, si një dokument i përjetshëm. Banorët e Currajve i dhuruan kishës këtë tokë ku është kisha sot, e cila është në pozicionin më strategjik, ku të gjitha rrugët e lagjeve të çonin aty. Kisha ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm social e administrativ gjatë gjithë periudhave deri në ditët e sotme. Në këtë kishë kanë shërbyer shumë meshtarë, të cilët edhe pse ishte në një terren mjaft të vështirë për shkak të pozicionit gjeografik që ka, nuk janë ndalur asnjëherë për të shërbyer në këtë tempull të Zotit dhe banorëve të kësaj zone. Famullitarët e Currajve, përpos shërbimeve fetare, u përfshinë edhe në veprimtari edukative e arsimore. Disa prej të rinjve vullnetmirë arritën të marrin aty bazën fillestare të njohurive arsimore. Kisha e Currajve mbart një simbolikë domethënëse fetare, kulturore dhe historike. Kjo kishë shërbeu në ndonjë rast edhe si një lloj “instituti kërkimor”; ajo u shndërrua në vatrën prej nga ku At Bernardin Palaj dhe At Donald Kurti mblodhën materialin më origjinal të “Eposit të Kreshnikëve”.

Po ashtu edhe shkolla në Curraj ka lidhje zanafillore me kishën e famullitarët e saj. Famullitarët ishin të parët që edukuan, nëpërmjet pedagogjisë dhe fesë të rinjtë e katundit, të cilët më pas u përfshinë në listat e personelit të arsimtarëve. Pusi i Kishës mbart një simbolikë të fuqishme betimi, vazhdimësi kjo e traditës iliro-shqiptare. Në atë pus u mbytën “gurët e besë”, pas një betimi në kishë nga burrat e Currajve se toka e tyre dhe e katundit s’do të shitej, falej a tjetërsohej kurrë jashtë katundit.

Tërësia e veprimtarisë fetare, kulturore e patriotike, e zhvilluar qysh prej ngritjes së saj në vitin 1897, e shndërron kishën e Currajve të Epërm në një institucion të rëndësisë së veçantë për secilin banor të Currajve, për çdo besimtar të Zotit e vëzhgues të identitetit kombëtar.

Violeta Marashi 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here