Dom Injac Dema është një ndër figurat më të ndritura të Kishës Katolike Shqiptare i cili i rezistoi çdo furtune të ayre kohërave. Ai nuk u kursye kurrë për shpalljen e Ungjillit, qofë edhe në vitet më të vështira. Misioni dhe veprimtaria e tij meshtarake ka bërë që ai të njihet kudo në dioqezat tona. Pas lirisë fetare në Shqipëri, dom Injaci ishte ndër të parët meshtarë që e priti me zemër të madhe këtë liri të mohuar për disa vite me radhë. Edhe pse me shkëputje, dom Injaci i shërbeu Zotit dhe besimtarëve deri në momentet e fundit të jetës së tij tokësore. 13 vitet e fundit të jetës së tij, Dom Injaci shërbeu në famullinë “Zoja Rruzare” në Dajç të Zadrimës. Ndërsa sot e kujtojmë në 13 vjetorin e kalimit në amshim, dhe tashmë gëzon në mbretërinë e Hyjit.

Kush ishte Dom Injac Dema?

Dom Injac Dema u lind në Shkodër më 23 maj të vitit 1925 në një familje me tradita fetare. U shugurua meshtar me 8 dhjetor 1958. Pas shugurimit emërohet famullitar në katundin Malaj të rrethit Mirditë dhe shërbeu për 8 vite, deri në mbylljen e kishave, në vitin 1967. Fatmirësisht nuk u dënua si shumë vëllezër të tjerë meshtarë, por jetoi pranë familjes dhe punoi 18 vjet pranë Kombinatit të drurit në Shkodër.

Edhe pse në një situatë mjaft kritike për jetën, duke qenë se ishte koha e komunizmit, ai nuk reshti së ushtruari ilegalisht meshtarinë, duke dhënë sakramentet e shenjta të gjithë atyre që e kërkonin. Me rihapjen e Kishave në vitin 1991, Mons. Injaci rinis misionin fetar në famullinë “Të ngjiturit e Zojës në Qiellë” – Kaçë-Naraç, për t’u vendosur më vonë në famullinë Zoja Rruzare-Dajç.

Me porosi të ish-administratorit të Sapës, Mons. Dodë Gjergjit, në vitin 2002, Papa Gjon Pali II i akordon titullin “Prelat Nderi i Shenjtërisë së Tij”. Ishte dhe Vikar i Dioqezës së Sapës. Në moshën 82 vjeç, dhe pas 49 vite jetë meshtarake, Mons. Injaci ndërron jetë me 19 shkurt 2007. Pushoftë në Paqe!

Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here