PAPA FRANÇESKU TAKON SHQIPTARËT

0
1700

Në kuadër të Vitit Jubilar të 550 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë  Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skëndërbeut, nën organizimin e Ambasadës Shqiptare në Romë, me  19 nëntor 2018, një grup shqiptarësh u pritën  në takim nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Ishte një vizitë historike e këtij grupi prej 200 personash, njerëz të fesë, politikës, biznesit, artit, kulturës dhe fushave të tjera, si dhe besimtarët të thjeshtë, por mes tyre edhe një grup arbëresh të Italisë, që patën fatin të takohen me Atin e Shenjtë. Këtij grupi shtegtarësh iu bashkua edhe Hierarkia më e lartë e Kishës Katolike në Shqipëri, e përfaqësuar nga Kardinali Shqiptar, Mons. Ernest Troshani si dhe katër ipeshkvinjtë e Shqipërisë, si Imzot George Frendo, Arqipeshkvi i Arkidioqezës Tiranë Durrës dhe Presidenti i Konferencës Ipeshkvore, Imzot Simon Kulli, Ipeshkëv i Dioqezës Sapë, Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv i Arkidioqezës Shkodër – Pult dhe Imzot Giovanni Peragine, Ipeshkëv i Administraturës së Jugut. Po ashtu ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e tre besimeve të tjera të Shqipërisë, ortodoks, musulman dhe bektashian.

Ati i Shenjtë i priti shqiptarët në një audiencë të veçantë mbajtur në Sallën Klementine në Vatikan. Gjatë fjalës së tij, Papa Françesku vlerësoi figurën e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve: “mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin ‘Athleta Christi’. Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar”. Ati i Shenjtë i nxiti shqiptarët për “një impenjim të risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të zhvillimit të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin”. U foli për “shqiptarinë” e Pashko Vasës, i cili e përdori këtë term për të “treguar identitetin shpirtëror, që i bashkonte gjithë shqiptarët, përtej dallimeve me natyrë fetare. Kjo bindje i dha shtysë bashkëjetesës paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkisnin feve të ndryshme, duke u kthyer me kohë, në bashkëpunim e vëllazërim”. Ati i Shenjtë kujtoi atmosferën e respektit e të besimit të ndërsjelltë ndërmjet feve në Shqipëri – fakt, që e përmendi edhe gjatë udhëtimit të tij apostolik në vend, më 21 shtator 2014. E së fundi, kujtoi martirët e komunizmit dhe Nënë Terezën, shenjten shqiptare të dashurisë, duke u kërkuar të gjithëve të luten për të.

Gjatë kësaj vizite secili prej shqiptarëve pjesëmarrës patën fatin të takoheshin personalisht me Atin e Shenjtë duke shkëmbyer duart dhe përqafime zemre mes njëri – tjetrit.

Vizita e shqiptarëve u përshendet edhe me një koncert madhështor mbajtur nga artistat Shqiptarë me famë botërore, të cilët kanë përformuar në skenat ndërkombëtare të muzikës.

Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here