KATEDRALJA “SHËN TEREZA E KALKUTËS”

Vendodhja: Vau-Dejës

Datimi: Shuguruar me 6 Shtator 2008

Aksesi: Përshkohet nga rruga nacionale Shkodër – Pukë, në qendër të qytetit Vau-Dejës.

Rëndësia: Kjo Katedrale është Kisha Nënë e Dioqezës së Sapës dhe Seli Ipeshkvore. Në këtë Seli përfshihen katër zona ku shtrihet Dioqeza e Sapës: Zadrima, Puka, Kukësi e Tropoja.

 

Përshkrimi: Kisha Katedrale Shën Tereza e Kalkutës mbledh të gjitha Kishat simotra të Dioqezës së Sapës. Ndërtimi i saj i pat fillimet me datën 10 nëntor të vitit 2002, me bekimin  e Gurë-themelit të parë nga Shkëlqesia e Tij Kardinal Crescenzio Sepe, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve. Me angazhimin e madh të ish ipeshkëvit të Sapës në atë kohë, imzot Dodë Gjergjit, (sot ipeshkëvi i Kosovës), u bë e mundur që Katedralja e re të ndërtohet pothuajse brenda tre viteve. Dhe me datën 5 shtator 2005 u bë Bekimi i saj.

Me emërimin e Ipeshkëvit të ri të kësaj Dioqeze, 5 janar 2007, imzot Lucjan Avgustini, ndoqi gjurmët e paraardhësit të tij duke vazhduar kështu në punimet e Katedrales, sidomos në murimet e saj. E pas kësaj pune intensive u arrit që, Katedralja e parë në Shqipëri, kushtuar bijës shqiptare, të madhes Nënë Tereza të Shugurohet me datën 6 Shtator 2008, nga duart e ish- Ipeshkëvit të Sapës imzot Dodë Gjergji. Në këtë Katedrale vlen të përmendet fakti se janë shuguruar tre Ipeshkëvinjë: imzot Dodë Gjergji, imzot Lucjan Avgustini dhe imzot Simon Kulli. Po në këtë Katedrale janë Shuguruar edhe Jezuiti i parë shqiptar dhe Kapuçini i parë shqiptar pas diktaturës: At Zef Bisha dhe At Prel Syla. Përballë Katedrales, në Sheshin Nënë Tereza, në qendër të qytetit ndodhet edhe Shtatorja e Nënë Terezes, vendosur dhe Bekuar me datën 7 maj 2006. Famullitari i parë i kësaj Katedrale ishte dom Simon Kulli, sot ipeshkëv i Sapës, i cili e mbajti këtë detyre për më shumë se 12 vjet. Që nga tetori i vitit 2017, aktualisht famullitar i Katedrales është dom Mark Shtjefni.

 

Violeta Marashi