MANDATI I SELISË SË SHENJTË PËR EMËRIMIN E DOM SIMON KULLIT SI IPESHKËV TË SAPËS

 

 

 

FRANCESKU IPESHKËV, SHËRBËTORI I SHËRBËTORËVE TË HYJIT,

birit të dashur Simon Kullit, Administratorit të Dioqezës së Sapës, të zgjedhur për ipeshkëv të kësaj Selie dhe klerit të Selisë së Katedrales në Sapë,  i uron shëndet dhe Bekimin Apostolik.

Detyra jonë shumë e rëndë, si Bariu më i Lartë, kërkon sot prej nesh, ndër të tjera, të kujdesemi për Dioqezën e lashtë të Sapës, të cilës i mungon bariu pas vdekjes së Bariut të saj, Lucjan Avgustinit, që ne e kujtojmë me dashuri.

Duke qenë se ti, o bir i dashur, i stolisur me aftësi të dobishme dhe me njohjen e gjërave të Kishës vendore, na dukesh i denjë për ta udhëhequr, pasi kemi dëgjuar Kongregatën për Ipeshkvinjtë, dhe me këshillin e Seancës së dytë të Sekretarisë së Shtetit për Marrëdhëniet me Kombet, me autoritetin tonë të lartë Apostolik, të emërojmë Ipeshkëv të Sapës, me të gjitha të drejtat dhe detyrat.

Lejojmë që të pranosh urdhërimin, jashtë qytetit të Romës, nga një ipeshkëv katolik sipas normave tona liturgjike, por më parë duhet të bësh shpalljen e fesë katolike dhe betimin e besnikërisë ndaj Nesh dhe ndaj Pasardhësve tanë, sipas të Drejtës Kanonike.

Urdhërojmë gjithashtu, që kleri dhe populli i asaj Kishe të vihen në dijeni të kësaj Letre, dhe i nxisim që të pranojnë dhe të qëndrojnë të bashkuar me ty.

Më në fund, Bir i dashur, bëj çmos që, i ndihmuar nga dhuratat e Shpirtit të Shenjtë, t’i ruash besimtarët që ty të janë besuar, me fjalë, me vepra, dhe, veçanërisht, me shembullin e jetës sate, sepse s’ka asgjë më të përshtatshme se sa ky, për t’i formuar njerëzit.

Paqja e Krishtit, me ndërmjetësinë e Marisë Virgjër, qoftë gjithmonë me ty dhe me bashkësinë shumë të dashur kishtare të Sapës në Shqipërinë e dashur.

E dhënë në Romë, tëk Shën Pjetri, më 15 qershor 2017, në vitin e pestë të Pontifikatit tonë.

 

PAPA FRANÇESKU