OBJEKTET E KULTIT NË FIERZË

Fierza ka qenë një vend i banuar që nga koha e pushtimit romak të vendit tonë. Këtë e tregojnë edhe trojet e kishave që janë ndërtuar në këtë vend që në kohë të lashta, gjurmë të të cilave gjenden edhe sot. Është vërtetuar se Fierza ka qenë një vendbanim i përhershëm që nga koha e ilirëve. Duke qenë se banorët e Fierzës në shekuj kanë qenë të besimit katolik, ata kanë ndërtuar kisha si objekte kulti, ku faleshin dhe kryenin ritet sipas formimit të tyre religjoz. Përveç Kishës së Shën Mëhillit, e cila është ndërtuar më vonë dhe është rindërtuar përsëri pas vitit 1990, nga kishat e tjera sot kanë mbetur mure e rrënoja të cilat janë dëshmi e gjallë e jetës që ka ekzistuar në Fierzë për shekuj e shekuj me radhë.

Në territorin e Fierzës, historikisht ka patur këto kisha, sipas periudhave të ndryshme deri më sot:

Kisha e Shën Markut

Kjo kishë mendohet se i përket periudhës së sundimit të Perandorisë Romake në vendin tonë. Ajo u ka shërbyer banorëve të këtij vendi me prejardhje nga fisi ilir i Pirustëve ku bënte pjesë në atë kohë edhe Fierza. Rrënojat e truallit të kësaj kishe kanë ekzistuar deri në ndërtimin e HC të Komanit. Pas ndërtimit të kësaj vepre të madhe, ato rrënoja u mbuluan nga uji i liqenit në vitin 1967. Mendohet se Kisha e Shën Markut i ka shërbyer asaj popullsie deri në pushtimin e vendit nga mbreti Stefan Dushani në vitin 1350. Sipas të dhënave të të moshuarve, rreth kësaj kishe ka patur ndërtesa të vendosura në formën e një qyteze, me emrin Breg. Këtë e tregojnë toponimet e emrave të atij vendi që kanë lënë gjurmë dhe sot si, Livadhi i Bregut, Mali i Kishës, Kisha e Shën Markut, Kodra e Pikave, etj…, emra që janë trashëguar që nga koha e sundimit romak. Gjatë këtij sundimi, territori i atij vendi ka qenë i pandarë me fshatrat e tjera. Më vonë, pas pushtimit të serbëve, këtu janë vënë emra sllav si, Guri i Sokolave, Pllas, Suka e Pllasit, Guri i Tërkuzës, i Sukullarit, të cilët tregojnë se në këtë vend ka banuar ushtria sllave, gjë që e argumentuam në kapitullin e toponimeve.

Kisha e Shën Prendes

Kjo kishë mendohet se u ka shërbyer banorëve autoktonë rreth shek. V-VII të periudhës pas lindjes së Krishtit. Gjurmët e truallit të kësaj kishe kanë ekzistuar nga erozioni, ujrat dhe agjentë të tjerë natyrorë, duke krijuar kështu një rrjedhë uji që mori emrin Përrocka e Malit të kishës, e cila jo vetëm kishën por edhe truallin e saj, e mori me vete dhe sot nuk gjendet asnjë gjurmë e saj. Por vendi rreth këtij përroi, sipër kodrës së Ali Myftarit, afër shtëpisë së sotme të Zef Mhillit e Frang Mhillit në Fierzë, quhet Mali i Kishës, emër i trashëguar pikërisht nga kisha e dikurshme e Shna Prendes.

Kisha e Shën Nikollit

Kisha e Shën Nikollit mendohet të ketë ekzistuar në shërbim fetar të banorëve që kanë jetuar në këtë vend nga shek,VII – XII. Rrënojat e kësaj kishe kanë ekzistuar deri në vitin 1968, kohë kur u prishën nga kooperativa bujqësore Fierzë, për të hapur tokë të re. Në truallin e saj ka qenë një mur me gëlqere, i cili kishte rezistuar në shekuj si dëshmitar i heshtur i kësaj kishe. Hapja e tokës së re në truallin e Kishës së Shën Nikollit, bëri që jo vetëm të prishet muri i vjetër, por edhe të zhdukeshin fare gjurmët e truallit të saj. Por për të mos e harruar atë truall, tashti aty është vendosur një kryq që quhet Kryqi  i Kishës së Shën Nikollit.

Kisha e Shën Mërisë

Kjo Kishë mendohet se është ndërtuar pas kishave që përmendëm më parë dhe i ka shërbyer një popullsie tjetër që ka jetuar këtu. Ndërtimi i kësaj kishe është bërë rreth shek. XIII, në kohën e pushtimit të vendit tonë nga ushtria e mbretit serb Stefan Dushani. Edhe emri i kishës ka ngjashmëri me emrin e kishave sllave. Kjo kishë u ka shërbyer edhe të parëve tanë të cilët, kur janë shpërngulur nga Bobi i Shalës e janë vendosur në Fierzë, nga fundi i shek. XVI e nga fillimi i shek. XVII e kanë gjetur në shërbim të një popullsie tjetër, e cila nuk ishte larguar plotësisht nga Fierza. Kjo vërtetohet edhe nga fakti se varrezat e të parëve tanë kanë qenë pranë asaj kishe, pikërisht aty ku janë varrosur edhe banorët e asaj kohe. Ajo u ka shërbyer banorëve të Fierzës deri në vitin 1800. Gjurmët e varrezave gjenden pranë truallit të asaj kishe, sipër rrugës automobilistike, pranë vendit që i thonë: “mbi mandat e Gjergj Kolës”, të cilët edhe sot janë aty. Në vitin 1967, gjatë punës me bulldozer për të hapur rrugën automobilistike drejt qendrës së Fierzës, në atë shesh u zbuluan disa varreza, mbetjet e të cilëve, sot e kësaj dite, mund të gjenden anash dhe në mes të rrugës. Nuk kemi të dhëna të sigurta, por rreth fillimit të shek. XIX, ajo kishë nuk ka shërbyer më, sepse nga viti 1800 vdiqën 75 vetë nga Fierza, nga një sëmundje ngjitëse, vdekjeprurëse. Nga ajo kohë e në vazhdim, nuk u lejua që ato varreza të hapeshin. Sipas regjistrit të Dom Shtjefen Gasperit, më 06. 11. 1671, Kisha e Famullisë së Fierzës, përfshihej në zonën e Iballes, e cila kishte vetëm 122 shtëpi me 890 besimtarë.

Në atë kohë, famullitari banonte në Gralisht dhe prej andej, I shërbente krejt zonës. Të gjithë besimtarët katolikë të kësaj treve ishin të varfër edhe për faktin se turqit më përpara kishin plaçkitur  dhe djegur këtë zonë. (shih shkrimet e Gjush Sheldisë, fq 113).

Në kohën e Koncilit Shqiptar më 1703, të cilin e quajnë edhe Kuvendi i Arbrit, Ipeshkvia e Sapës kishte 8 famulli në zonën malore të Iballes. Famullitari i Iballes ishte dom Gjon Suma. Me shërbimet religjioze, në atë kohë, Iballja mbulonte Fierzën dhe Berishën. Kishat tjera nuk kishin famullitar në shërbim, jo se ato nuk do të ekzistonin si famulli më vete, si përpara, por kjo ka ndodhur për shkak të mungesës të meshtarëve dhe për shkak të rrënimeve, shkatërrimeve e plaçkitjeve nga ana e ushtrisë turke.

16 tetor 1834, sipas regjistrit të ipeshkvit, mons. Pjetër Borçit, këtë zonë e mbulonin dy famulli, Fierza me 289 shtëpi dhe 1785 besimtarë dhe Alsiqja (Berisha sot), me 146 shtëpi dhe 1672 besimtarë. Kështu krejt zona kishte gjithsej 440 shtëpi me 3757 besimtarë. Pra, rritja e popullsisë me rreth dyfish, tregon se gjendja ishte më e mirë se para 160 viteve. Duhet përmendur se gjatë 12 viteve, 1881-1893, në Ipeshkvinë e Sapës vdiqën 14 meshtarë në 9 famulli, duke u krijuar kështu vakanca të shumta në kishat e kësaj ipeshkvie. Në këtë situatë, ipeshkvi i Sapës, mons. Gabriel Neviani, drejtimin e veprimtarisë kishtare të Iballës, Berishës, Fierzës dhe Dardhës, ua dorëzoi fretënve. Prandaj që në vitin 1845, Fierza, ishte përsëri famulli më vete, ku shërbente dom Mati Mazreku. Nga ajo kohë, në këtë famulli, është gjendur dokumentacioni i plotë dhe i saktë për shërbesat kishtare. Pra, siç thamë më sipër, Kisha Shën Mërisë u mbyll nga varrosja e 75 vetëve për shkak të sëmundjes ngjitëse. Për këtë arsye Ipeshkvia e Sapës ngriti një kishë të re për shërbimin e famullisë së Fierzës, e cila do të ishtë një qendër shumë e rëndësishme për besimtarët katolikë të zonës.

 

Kisha e vjetër e Shën Mhillit

Kjo kishë u ndërtua në fillim të shek. XVIII pranë varrezave që ndodhen sot në Fierzë. Por nga ajo kishë, sot ka mbetur vetëm trualli i saj, në të cilin njerëzit kanë bërë varre. Varri i parë mes truallit të Kishës së vjetër të Shën Mëhillit, është bërë më 22. 09.1947, me rastin e vdekjes së At Zef Gicit, i cili është varrosur aty. Varri i tij është një simbol monumental i historisë kishtare të Fierzës. Prandaj, jo vetëm duhet të mbetet aty ku është sot, por i gjithë populli i fshatit tonë duhet të punojë për ta ringritur, për t’i bërë At Zef Gicit një varr madhështor, ashtu siç e meriton një meshtar i madh. Ai i shërbeu jo vetëm kishës së Fierzës, por edhe famullisë së Fierzës prej 10 fshatrash.

Krahas punës për edukimin shpirtëror të besimtarëve katolikë dhe gjallërimin e jetës së tyre, ai ka lënë edhe shumë shkrime me vlerë për Fierzën dhe famullinë e tij.  Në kishën e vjetër të Shën Mhillit, shërbimet e fundit fetare ndaj popullit të famullisë, janë kryer nga frati Simon Mikeli, i cili në vitin 1889 ndërtoi Qelën e Kishës në truallin që gjendet pranë Kishës së re të Shën Mhillit. Më 28 shtator 1832, me shugurimin e Kishës së re të Shën Mhillit, mbyllet Kisha e vjetër.

Kisha e re e Shën Mëhillit

Kisha e re u shugurua nga Ipeshkvi i Sapës në vitin 1932, imzot Zef Gjonali. Ajo u ndërtua ngjitur me Qelën e Kishës, nën kujdesin dhe drejtimin e Fra Nikoll Kolës. Në shugurimin e saj kanë ardhur shumë banorë nga të katër anët e zonës, ku u foli meshtari fra Nikoll Kola. Kjo, në kohën kur u ndërtua, ishte një kishë model jo vetëm nga jashtë por dhe nga brenda. U vendos elteri, truporja e Zojës së Bekueme me Jezu Krishtin në prehërin e saj, pas vdekjes së tij, me 7 hanxharë në zemër dhe me kurorën me ferra të vendosur rreth kokës së tij. Aty u vendos edhe truporja e Shna Ndout, e Shënkollit, 18 pushimet e Jezu Krishtit me kryqin në krah, gjatë kalvarit për në Golgotë. Në antipod me ikonat e shenjta, ishte vënë  Luciferri, djalli me hekura në qafë e në këmbë të cilat ia kishte vendosur Shën Mhilli. Veç këtyre, kishte edhe ikona shenjtorësh të tjerë, të cilat mbushnin Kishën që dukej si një mrekulli e kohës. Njerëzit mahniteshin duke i parë ato. Edhe unë vetë jam mrekulluar kur i kam parë e nuk ngopesha duke i vështruar këto figura të shenjta që dukeshin si të gjalla. Besimtarët luteshin para tyre, duke iu drejtuar Zotit që t’u falë mëkatet, t’i ndihmojë në jetën e përditshme, të bekojë ujin, bukën, prodhimet e tyre dhe mbi të gjitha, t’u falë jetën e pasosur.

29. 09. 1932, largohet fra Nikoll Kola dhe në vendin e tij si famullitar i Fierzës emërohet at Zef Gici nga Shkodra. Ai ka shërbyer në këtë famulli për një kohë relativisht të gjatë. Sipas një relacioni për gjendjen e Kishës së famullisë gjatë shekullit XX, nga fra Loro Mihaleviçit, famullia e Fierzës kishte 7 fshatra me 180 familje dhe me 1443 besimtarë. Në vitin 1944, sipas dokumentave kishtare, gjendja kishe ndryshuar. Fierza si famulli kishte 7 fshatra me 1661 besimtarë. Mbas vitit 1944, d.m.th. rreth viteve 1950, sipas regjistrit shtëtëror të gjendjes civile, famullia e Fierzës ka patur këto fashtra:

Apripa e Gurit me 115 familje dhe 468 besimtarë;

Apripa e Vogël me 31 familje dhe 124 besimtarë;

Bugjoni me 172 familje dhe 794 besimtarë;

Fierza me 230 familje me 980 besimtarë;

Gralishti me 60 familje dhe 253 besimtarë;

Kokëdoda me 94 familje me 410  besimtarë;

Poravë me 165 familje dhe 696 besimtarë;

E gjithë famullia e Fierzës kishte 867 familje me 3725 besimtarë.

Shërbimin e kësaj kishe famulli në dobi të këtyre fshatrave, e ka vazhduar At Zefi, deri më 22. 09. 1947, kohë kur ai ndërroi jetë në Fierzë dhe, po në atë datë, u varros në truallin e Kishës së Vjetër të Shën Mhillit. Pas At Zefit, famullinë e Fierzës e ka administruar famullitari i Iballës. Më 22. 09. 1947 deri më 15. 07. 1956, ka shërbyer në Fierzë, fra Leonard Zef Shijaku. Më 15. 07. 1956 deri më 19. 03. 1967, aty ka shërbyer Fra Dioniz Maka, i ardhur nga Iballja.

                                                                                                         

Dedë Mark Uka