Kisha e Shën Markut

Emertimi:  Kisha e Shën Markut

Vendodhja: Kalaja e Dejës/Vau-Dejës

Datimi: 1455

Aksesi: Duke ndjekur intinerarin e rrugës nacionale Shkodër-Pukë, me nisje nga sheshi i qytetit Vau-Dejës, përshkohet më pas nga rruga e digës së Hidrocentralit Vau-Dejës.

Rëndësia: Ka qenë Kishë Katedrale e Dioqezës së Dejës kushtuar Shën Markut dhe është ndër Kishat më të vjetra historike në Shqipëri.

Përshkrimi: Kisha e Shën Markut ungjilltar ndodhet përmbi malin e Dejës. Festa e kësaj Kishe është festuar gjithmonë me pjesëmarrjen e një populli të shumtë në ditën e Shën Markut, me 25 prill. Ka qenë e madhe dhe e meremetuar prej Merti Buzës të thanun e prej popujve të vet. Disa herë në vit aty ka meshuar famullitari i Dejës me veshje të bartuna aty. Në derën e anës lindore, edhe sot e kësaj dite është një rrasë me një datë përkujtimore shënuar viti 1455. Nga librat historikë nuk kemi të dhëna të tjera për këtë Kishë. Ashtu si të gjitha Kishat në Shqipëri, edhe kjo gjatë periudhës ateiste pati fatin e keq të rrënohet, por fatmirësisht nuk u shkatërrua deri në atë masë sa t’i zhdukeshin të gjitha gjurmët. Si mure i shpëtuan të katër anët, ndërsa  çatia dhe pjesët e tjera u restauruan në vitin 2011, me iniciativën dhe kontributin e Ipeshkëvit të Sapës në atë kohë, imzot Lucjan Avgustini. Në këtë restaurim morën pjesë me kontributin e tyre edhe famullitarët përkatës, Dom Simon Kulli, famullitar i famullisë Vau Dejës, dhe dom Genc Tuku, famullitar i famullisë Dejë së bashku edhe me besimtarët e të dy famullive. Pranë kësaj Kishe ndodhen dhe varrezat.

Tashmë për Dioqezën e Sapës, Kisha e Shën Markut është mjaft historike, ku herë pas here organizohen edhe shtegtime të ndryshme, dhe çdo të premte të parë të muajit celebrohet Mesha e Shenjtë. Një ndër ngjarjet më me rëndësi që mbahet në Shën Mark është kremtimi i festës së këtij Shenjti, me 25 prill të çdo viti, ku marrin pjesë me qindra besimtarë nga zona të ndryshme të dioqezës së Sapës.

P.s. Disa të dhëna historike janë marrë tek “Relacionet e Imzot Frang Bardhit” të viteve 1635

Violeta Marashi