Stema ipeshkvore e Mons. Simon Kullit

Gjuha simbolike që përfshihet në stemën ipeshkvore të zgjedhur nga Mons Simon Kulli, shpalos qenësinë e pamjes së tij baritore për  Dioqezën e Sapës në krye të së cilës është zgjedhur prej Kishës, ipeshkëv i saj. Simboli është i ngjeshur me një varg domethëniesh dhe kuptimesh, ashtu si i përket natyrës së tij. Simboli nuk mbyllet vetëm në një saktësim, por nxit përsiatjen dhe hap shtigje të pambarim të kuptimit. Vatra e mirëfilltë e simbolit është Shkrimi i Shenjtë dhe Zbulesa e Hyjit. Prej këtij gjiri buron dhe njëmendësia e simbolit.

Pra, fjala që përcjell stemën është marrë nga Letra e dytë e Shën Palit drejtuar korintianëve: “Caritas Christi urget nos,” (Dashuria e Krishtit na nxit). (2Kor, 5, 14)

Fryma e këtij rreshti shtrihet përgjatë kapitullit të katërt, që flet për Jetën e Krishtit të shfaqur në ne. Hyji, krijuesi i dritës prej zanafillës, krijesën e vet e shndrit me dritën e njohjes së Lavdisë së Tij, e cila përsosmërisht është shfaqur në Fytyrën njerëzore të Krishtit të Ngjallurit (rr. 6). Ne jemi bartës të kësaj drite edhe pse këtë Thesar hyjnor e bartim në “ene prej argjile” (rr. 7).  Kapitulli i pestë i kësaj letre nga është marrë motoja e stemës, flet për këtë dashuri të Hyjit që njeriun e bën “krijesë të re” (5, 16). Dashuria e Hyjit e shfaqur në Fytyrën e Krishtit, nxit dhe përshkon bashkësinë e krishterë. Jeta e Kishës është e themeluar përmes dashurisë së Krishtit. Dashuria e Tij e nxit Kishën të dëshmojë dashurinë e Hyjit të shfaqur në Fytyrën e Krishtit që e fal “jetën e re”. Sikundër që Krishti  bën “krijesë të re”, e vjetra zhduket  dhe ajo që “qëndron në Të” bëhet e re sipas Planit hyjnor (rr. 17). Dashuria e Hyjit e tej figuron krijesën në përmasën e dashurisë së Krishtit.

Kjo lëvizje e dashurisë është e paraqitur dhe në stemë përmes simbolit të shqytit, Kryqit dhe zinxhirëve të këputur.

Stema shquhet për ngjyrën e kuqe, simboli i gjakut të derdhur të martirëve të kishës. E martirët janë: “holokaustet që flasin, fli të përsosura, kushtime të pëlqyera, lajmëtarë të së vërtetës, gjykime të çnderimit, përmbushje e ligjit shpirtëror, eliminim i gabimit, persekutim i të keqes, larje e mëkateve, kartazë e kozmosit”. (Shën Gregori i Nazianzenit).

Martirët në stemë janë të simbolizuar përmes gurëve të çmueshëm të cilët simbolizojnë “Jeruzalemin qiellor,” apo “Qiellin e ri dhe tokën e re.” Shfaqin qytetin e Hyjit, të “Fejuarën e Qengjit,” i cili s’ka nevojë të shndritet, mbasi vetë “Qengji i Hyjit” është “Llamba” e tij dhe “Lavdia e Hyjit” shkëlqen përmes “Fytyrës së Tij,”  (krah Zb 21, 1-11).

Në stemë Maria paraqitet përmes yllit në mes të Kryqit. Qëndron si “Yll i mëngjesit,” ku, në saje të amësisë virgjërore të Saj, Hyji i dhuron njerëzimit visaret e shpëtimit (Kolekta liturgjike). Ngjyra e arit e kryqit simbolizon Mbretërinë e Hyjit.

Hallkat e zinxhirit të këputur simbolizojnë robërinë e së keqes dhe urrejtjen. Prangat e skllavërisë të mëkatit, këputen përmes “Shqytit të fesë” (Ef  6, 13-17). Feja na mbron nga çdo pritë djallëzore dhe nuk mund të përfshijë dhe të përshkojë parzmën prej kraharorit nga i cili shpërthen dashuria e përsosur që vjen prej Kryqit të Krishtit; ai u fal lirinë e vërtetë të bijve të Hyjit.

Dashuria e Krishtit, pra, nxit të duam edhe ne sikur se Ai na deshi neve. Themeli i “jetës së re,” vendoset përmes kësaj dashurie të përsosur e cila përsos mbarë rendin e krijesës sipas shikimit të Hyjit.