Në ditën e Shën Gjonit, 29. 08. 2019,  Motrat Franceskane të Zemrës së Krishtit kanë kremtuar 25 vjetorin e misionit të tyre në Shqipëri, konkretisht në Dushaj të Tropojës, një ndër zonat më të largëta të Dioqezës së Sapës.

Me pjesëmarrjen e shumë besimtarëve, meshtarëve dhe motrave nga Sapa dhe Shkodra, meshtarët nga Gjakova, Mons. Hil Kabashi dhe Fra Lovro Gravran, si dhe miq nga Italia, me rastin e këtij përvjetori, u kremtua Mesha e Shenjtë në kishën e Shën Gjonit nën udhëheqjen e ipeshkvit të Sapës, imzot Simon Kulli.

Gjatë predikimit të rastit ipeshkvi theksoi se: “Jemi sot këtu në këtë Kishë për t’ia ofruar së bashku me ju këtë Eukaristi, Hyjit të Gjithëpushtetshëm në shenjë falenderimi për dhuratën e shërbimit të këtyre motrave, por njëkohësisht edhe lutje për vazhdimin e misionit të tyre në përhapjen e Lajmit të Gëzuar të Ungjillit në famullitë tona në zonat malore. 25 vite në shërbim Zotit dhe njeriut – ndoshta para syve tanë mund të duken pak, – tha ipeshkvi, por duke pasur parasysh se prej këtyre viteve një pjesë e madhe është kaluar në shërbim në vendin tonë ndaj këtij populli si dhe në çfarë rrethanash ka filluar veprimtaria e motrave, është me të vërtetë një punë e madhe që bëhet në nderë dhe lavd të Zotit dhe kujdesit të njeriut – përfundoi imzot Simoni.

Në këtë kremtim përshëndeti edhe Provincialja e motrave, ish misionare për 20 vjet në Dushaj, motër Cristiana Basso, e cila mes emocioneve të shumta ju drejtua të gjithë të pranishëmve me fjalët e Shën Franceskut “Paqe e të mira”! Mes të tjerash, motër Kristjana kujtoi se kemi ardhur para 25 viteve, sepse Zoti na ka thirrur dhe na ka dërguar për të shpallur Ungjillin, për t’ua mësuar njerëzve rrugën e Zotit, rrugën e drejtësisë dhe të paqes dhe për ti shëruar në trup dhe në shpirt.

Kujtojmë se para 25 viteve, Motrat Françeskane u vendosën në një shtëpi ku ende janë edhe sot. Ato shërbenin çdo ditë në këto famulli me shumë dashuri ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj të varfërve dhe të sëmurëve me shërbime të ndryshme në fushën sociale dhe shëndetësore, kryesisht në ambulancën e tyre. Këto motra punuan fort ndër vite për edukimin e fëmijëve dhe të rinjëve të kësaj famullie. E po me të njëjtin ritëm të punës dhe dashurisë, ky mision vazhdon të lulëzojë dita – ditës në këto zona malore të vështira për nga terreni, por të mbushur me plot vlera hyjnore, morale dhe njerëzore.

Violeta Marashi 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here