“Unë jam me gjak shqiptare, me shtetësi indiane. Sa për besimin tim, unë jam një  murgeshë katolike. Sipas thirrjes sime, unë i përkas botës. Por, për sa i përket zemrës sime, i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit “.

Kështu e përkufizonte veten lajmëtarja e ndritshme Nënë Tereza. Dhe në këtë ditë të shënuar të saj, festa liturgjike e Shën Terezes së Kalkutës është përkujtuar edhe në Katedralen kushtuar shenjtes shqiptare në Vau Dejës. Në këtë kremtim, që shënon edhe 3 vjetorin e shentjërimit të saj, morën pjesë besimtarë të shumtë nga famullitë e dioqezës, si dhe personalitete nga shoqëria civile, të cilët shtegtuan drejt kësaj katedrale ku u bashkuan në lutje dhe nderim për Nënë Terezen, nëna që gjithë jetën ia kushtoj shërbimit ndaj të varfërve dhe bamirësisë.

Me ftesë të ipeshkvit të vendit, Imzot Simon Kulli, kremtimi eukaristik i prini ipeshkvi i dioqezës së Rrëshenit, imzot Gjergj Meta  në bashkëkremtim me vëllezërit meshtarë.

Në fillim Imzot Gjergji shprehi kënaqësinë e tij që gjendej në Sapë, në këtë ditë të veçantë për të gjithë ne tha ai, dhe falenderoi ipeshkvin e vendit për ftesën. Ndërsa në homelinë e rastit, ai u ndal më së shumti në pjesën e ungjillit dhe mbi jetën dhe veprën e Shën Terezes së Kalkutës, e cila ua dedikoi gjithë jetën e saj njerëzve më të varfër, njerëzve më në nevojë. Menjëherë pas meshës, u mbajt edhe procesioni ku personat me aftësi ndryshe së bashku me meshtarët vendosën nga një karajfil pranë shtatores së Nënë Terezes që ndodhet në sheshin para katedrales.

Duke qenë se për nga natyra e saj, dita e Shën Nënë Terezes i kushtohet bamirësisë, famullia e Shën Kollit në bashkëpunim edhe me Bashkinë Vau Dejës, kishin organizuar edhe aktivitete të tjera, që ishin:“Panairi” me produktet e fushave të ndryshme të zonës përreth, “Këndi i Bamirësisë”, ku mund të blije diçka, si dhe Koncerti Live. Ajo që u grumbullua nga ky aktivitet do të shkojë si ndihmë konkrete për njerëzit në nevojë të famullisë. Pikërisht kjo përkujdesje sado e vogël të jetë ajo, është çelësi i bamirësisë. Vlen të përmendet se edhe Caritas Dioqezan Sapa shtroi drekën vëllazërore për miqtë e Nënë Terezes, për të privilegjuarit e saj, personat me aftësi ndryshe.

Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here