MESHË FALENDERIMI PËR LUMTURIMIN E NËNË KLELIA MERLONIT, THEMELUESE E MOTRAVE “APOSTULLE TË ZEMRËS SË SHENJTË” – DAJÇ

0
1567

Pas ceremonisë zyrtare të Lumturimit të Nënë Clelia Merlonit, të mbajtur në Vatikan, në fillim të këtij muaji, edhe në kishën “Zoja Rruzare” në famullinë e Dajçit, të premten e 23 nëntorit, u mbajt meshë falenderimi për shenjtërimin e Nënë Clelias, themeluesja e Motrave “Apostulle të Zemrës së Shenjtë”. Mesha u organizua nga famullitari dom Angjelin Krygja në bashkëpunim me motrat e kësaj bashkësie, të cilat shërbejnë në këtë vend prej shumë vitesh.

Mbarë besimtarët e famullisë u bashkuan në meshën Shenjtë, ku nderoi me praninë e tij edhe Ipeshkvi i vendit, imzot Simon Kulli. “Që në fillim të predikimit të rastit, ipeshkvi falenderoi Zotin që e pasuron kishën e vet me të lum dhe me shenjtër, sepse ne sot kemi mundësi të imitojmë dhe të ecim gjurmëve të tyre në jetën e krishterë tha ai. Më tej, imzot Simoni u ndal në jetën dhe veprën e Nënë Klelia Merlonit, një nënë e denjë për të ndjekur dhe ecur në gjurmët e Krishtit. Ajo jetoi edhe kalvarin e saj, ku për shkak të shpifjeve e hoqën dhe nga drejtimi dhe pastaj nga instituri që e kishte themeluar vetë me shumë flijime. Ishte një kalvar i frikshëm: me vetmi dhe izolim, me ligështimin e shëndetit e me vuajtje, deri në kufijtë e dëshpërimit. Por përballë Zemrës së Krishtit, e Lumja e re pranoi me gjithë dëshirën për t’u pajtuar me të gjithë, duke gjetur forcë t’i falte ata që e përndiqnin pa faj e mëkat”.

Gëzimin e shenjtërimit të Nënë Clelia Merlonit, në emrin e bashkësisë që shërben në Dajç, e shprehi edhe bija e saj, misionarja motër Roseta, e cila shprehi mirënjohjen për Atin e Shenjtë, që i bëri nder kësaj kongregate, duke e ngritur në elterin e të lumëve themeluesen e tyre, Nënë Clelian.

Me lutjet dhe me bekimin e Zotit dhënë nga ipeshkvi e gjithë bashkësia famullitare e Dajçit u shpërnda e gëzuar në rrugëtimin e secilit në jetën e tyre të përditshme.

 

Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here