“Misioni” është një bashkim idesh dhe veprimesh me synimin për të arritur një qëllim në një vend dhe kohë të caktuar.
Po ne, çfarë misionit kishim atje në mes të maleve ku as rrugë makine nuk kishte?

Ngjitje e zbritje me makinë e pastaj po ngjitje e zbritje, por në këmbë kësaj here.
Ecim në rrugë pa rrugë të habitur e të çuditur se ku mund te jetojnë njerzit dhe sa te vështirë e kanë.
Përveç deshirës primare për të marrë pjesë në këtë mision, një shtysë të madhe na e dha edhe kurioziteti për të mësuar si jetojnë njerzit në ato zona. Së bashku me dom Massimo di Lullo, me misionarët, Gofredo Maria  Leonardis, Tiziana D’Andrea, Maria Palma, Motrat Françeskane – Dushaj, si dhe një grup të rinjësh katekista, pas një gjysmë dite rrugë më në fund jemi në Dushaj, aty ku për një javë shtëpia e motrave do kthehej edhe në shtëpinë tonë. E pas kësaj menjëherë në mision, në fshatrat Gralisht, Bugjon dhe Kokëdodë të rrethit Pukë. Atje, në ngjitje e zbritje për të prekur më në fund me dorë një realitet tjetër.
Deri afër fshatit ia dalim të shkojmë me fuoristrada, i vetmi tip automjeti që mund të shkonte deri aty. Pastaj në këmbë duke vizituar të gjitha familjet.
Celulari thuajse nuk kapte kurrë valë.Ndërsa për internet në shtëpi nevojiteshin tri antena për ta sjellë deri tek një shtëpi, të vetmen që gjetëm me internet, e përsa i përket internetit në cel as që bëhej fjalë. Gjithsesi, përtej vështirësive të mëdha, atje jetohej disi.
Impakti i parë gjatë vizitave është mikpritja, nuk mungon asnjëherë, sado “thellë” të futesh në zona malore, dhe sado e dobët të jetë gjendja ekonomike.
Pastaj kur e kuptojnë se kemi ardhur së bashku me një Meshtar, aty sikur u shkelqejnë sytë dhe mezi presin që duke na falenderuar për vizitën njëkohësisht edhe të “ankohen” për vështirësitë e jetës në çdo pikëpamje. Përtej të gjitha vështirësive ato jo vetëm që nuk e kanë humbur besimin por e mbanin me fanatizëm dhe e transmetonin tek fëmijët me sa mundësi kishin. Ndërsa ne, të ndarë në dy – tre grupe vazhduam misionin tonë.
Bekimin e çdo familjeje, përgatitje për sakramentet për të cilët kishin nevojë dhe kampin e fëmijëve, të gërshetuar mes katekizmit, lutjeve, këngëve dhe lojrave që aq shumë u pelqejnë…edhe neve.
Përgjatë këtyre ditëve morëm shumë buzëqeshje e lumturi nga ato njerëz të palodhur, me ekonomi të dobët por me zemër të bardhë.Ne vazhduam misionin duke bërë që të paktën për një javë tu’a sjellim më pranë fjalën, dhuratat dhe dashurinë e Zotit tonë.
Vetëm kur u larguam kuptuam se përtej “detyrës” tonë që ishte për të dhënë, në të njëjtën kohë kishim përfituar edhe ne nga ky mision.
Në misionin e përmbushëm, duke lënë atje, më të ndriçuar dhe më me shpresë se kurrë, njerëz që u bëjnë ballë vështirësive të mëdha, të cilët vërtetojnë një shprehje të vjetër se “njeriu përballon çdo gjë në këtë jetë”.                        

Kristjan Ndrekaj

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here