MESHË FALENDERIMI

ME RASTIN E 20 VJETORIT TË SHUGURIMIT MESHTARAK IMZOT SIMON KULLI 

Në të kremten e festës së apostujve, Shën Pali dhe Shën Pjetri, 29 qershor 2020, Dioqeza e Sapës kujtoj 20 vjetorin e Shugurimit Meshtarak të bariut të saj, Imzot Simon Kulli.

Në rrethin familjar të gjakut dhe familjes së madhe dioqezane me meshtarët, motrat, asistentët dhe bashkëpunëtorët e tij, Imzot Simoni ka dashur ta bashkëndajë këtë moment falenderimi ndaj Zotit për dhuratën e jetës dhe thirrjen e tij meshtarake.

E kështu së bashku të gjithë u mblodhëm në oazin e qetësisë shpirtërore, në Karmel – Nënshat, ku ishin të pranishëm edhe ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi i Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta  si dhe vëllau në meshtari, vikari gjeneral i dioqezës së Shkodër-Pult, d. Nikolin Toma. Mesha e shenjtë u udhëhoq nga Imzot Simoni, ndërsa predikimin e rastit e mbajti vikari gjeneral i dioqezës, dom Robert Kola. Ai mes të tjerash theksoi se: sot jemi këtu për të falënderuar Hyjin për dhuratën e Tij të meshtarisë. Të falënderosh (hodoth) në Shkrimin e Shenjtë, domethënë para së gjithash pëlqimin tënd dhënë dikujt, njësimin me dikë dhe vetëm pas kësaj ndodh falënderimi. Ai që falënderon puthitet me atë që falënderohet. Falënderimi nuk përshkon vetëm shpirtin, por nga ai vepron drejt botës për t’u bërë akt dhe ndodhi. Të puthitesh me dikë në këtë mënyrë do të thotë të vërtetosh ekzistencën e tij.
Eukaristia është puthitje me ekzistencën e Atit. Të kremtosh eukaristinë do të thotë të
puthitesh me Atin. Eukaristia e Jezusit është akti dhe ndodhia e kësaj puthitje
” – përfundoi dom Roberti.

E në fund të meshës, edhe vetë imzot Simoni, falenderoj Zotin në radhë të parë, i cili, si sot para 20 viteve vulosi në të dhuratën më të bukur të jetës së tij, Shugurimin Meshtarak. Ai falenderoi familjen e tij që e mbështeten në rrugën e meshtarisë, si dhe motër Maria Kaletën e cila e ka pagëzuar dhe i ka dhuruar fenë për të ndjekur Krishtin. Gjithashtu, falenderoi ipeshkvin shugurues, Imzot Angelo Massafra. Mes falenderimeve ai përmendi edhe ish Ipeshkvin e Sapës, Imzot Dodë Gjergjin që ka qenë gjithnjë mbështetje dhe inkurajim i madh që në hapat e parë të diakonatit dhe gjatë gjithë jetës së tij meshtarake. Ai shprehi edhe mirënjohjen e tij të thellë edhe për të ndjerin Imzot Lucjan Avgustinin, i cili ishte model dhe shembulli më i veçantë si bari i kishës.

Me këto fjalë të përzemërta falenderimi, përfundoi ky kremtim i shenjtë, ku mbarë besimtarët e Dioqezës së Sapës ia besojnë Zotit bariun e saj dhe i luten Atij, që t’ia udhëheqë hapat në drejtimin sa më mirë dhe të frytshëm të grigjës që i është besuar.

Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here