MISIONI I MISIONARËVE LAIKË TË PESCARËS – ITALI

NË DIOQEZËN E SAPËS

Laikët kanë një rol mjaft të rëndësishëm në jetën e kishës Katolike kudo në botë. Edhe në Shqipëri, Kisha Katolike ka patur mjaft bashkëpunëtorë, qofshin ato edhe vullnetarë, ku i kanë qëndruar afër pastorales së Kishës, duke u bërë kështu krahu i djathtë i meshtarit apo motrave, dhe një vlerë e çmuar për kishën, e  mbi të gjitha para syve të Zotit.

Të tillë janë edhe misionarët laikë italianë si Gofredo Maria Leonardis, Tiziana D’Andrea, dhe Mariapalma Di Battista. Ato vijnë nga dioqeza e Pescares, dhe kanë ardhur në dioqezën e Sapës në verën e vitit 2012. Që prej këtij viti ato shërbejnë në famullinë “Shën Panteleoni” në Mabë-Dragushë, por edhe gjatë misioneve verore në zonat malore. Shërbimi i tyre dhuruar vullnetarisht kishës ka qenë mbështetje e fortë për famullitarët e kësaj famullie, siç ishin dom Giovanni Cianciosi, dom Ezio Pietropaolo dhe dom Massimo di Lullo.

Origjina e misionit të tyre rrjedhë nga famullia e San Giovanni Bosco, ku dhe janë rritur dhe janë takuar me Zotin në dëgjimin e Fjalës dhe në Eukaristi; ku kanë mësuar shërbimin ndaj më të vegjëlve të shoqërisë (fëmijëve, të moshuarve, njerëzve në vështirësi të ndryshme), ku kanë përjetuar bukurinë edhe vështirësinë e jetës së përbashkët.

Siç shprehen edhe vetë misionarët, Goffredo e Tiziana, përvojat e ndryshme si misionarë, në Itali, në Afrikë dhe tani në Shqipëri na kanë ndihmuar shumë mbi vullnetin e Zotit, e madje na kanë bërë të kuptojmë edhe gjithnjë e më tepër thirrjen që vetë Zoti na ka dërguar.  Po kështu edhe Mariapalma me punën e saj në shërbimin vullnetarë në famulli e me punën sociale, e ka ndihmuar të arsyetojë mbi vullnetin e Zotit ndaj saj duke menduar edhe për të ardhmen që Zoti i do sërish në shërbim si misionarë.

Ishte ipeshkvi i Pescarës, Mons. Tomasso Valentinetti, i cili pasi nënshkroi marrëveshjen me ish ipeshkvin e Sapës, Imzot Lucjan Avgustinin në vitin 2010, u propozoi misionin në dioqezën e Sapës. Dhe të tre këto misionarë duke menduar gjithnjë me vullnetin e tyre të lirë, por edhe vullnetin e Zotit, pranuan menjëherë që të vinin me mision në Shqipëri, në Dioqezën e Sapës.

Pohimi i tyre i drejtoi në famullinë Mabë, një fshat që na kujtonte fshatrat tona si ishin 60 viteve më përpara – na tregon Gofredo. Shihja një jetë të shënuar nga ritmi i stinëve me një ekonomi bujqësore; ditë të shënuara nga pritja e furgonave për të shkuar në qytet, nga ecja në këmbë apo me motor nëse ke fat, por nuk mungonte dhe karrocën e gomaritpër të punuar.

Edhe pse të mësuar të arsyetonim dhe të organizonim punën sipas bindjeve të tyre, kemi filluar të ndryshonim pikëpamjen tonë sipas vendit të ri ku jetonim- na tregon Tiziana. Sot jemi përpjekur të shpallim Ungjillin edhe me fjalë edhe me jetë të përditshme, mbasi që kemi mësuar gjuhën, historinë dhe traditat e këtij vendi, ndaj dhe jemi më të aftë  për të komunikuar dhe për të kuptuar realitetin e vendit ku kemi mbërritur para nëntë viteve.

Fillimi i misionit nuk ka qenë i thjeshtë për to, të mësuar të ndiznin çdo gjë me një klik. Kanë vuajtur për mungesën e dritës, ujit dhe për të ftohtin i dimrit të parë. Këto vështirësi edhe mos njohja e gjuhës nuk i ka penguar në zhvillinin e misionit të tyre.  Madje me ndihmën e Zotit dhe të personave që i kanë mbështetur kanë filluar menjëherë me aktivitete të ndryshme baritore.

Fakti që nuk ishin vetëm, me mbështetjen edhe të ipeshkvit aktual, Imzot Simon Kulli, i ka bërë që të takohen edhe me realitete të tjera misionare rreth tyre, siç ishin Motrat Apostulle të Zemrës së Shenjte në Dajç, gjithmonë të pranishme dhe të gatshme për të na ndihmuar; realiteti i bukur i misionit në Blinishtit dhe Gjadër, që me kalimin e kohës u pranuan si bashkëpunëtorë në këto famulli, më saktë në Kodhel, njëri prej fshatrave të misionit, ku jetuan tre vite.

Ato nuk mund të harrojmë etërit dhe motrat e Karmelit në Nënshat dhe motrat e Shtëpisë së Bamirësisë dhe motrat Dorote në Vau Dejes, dhe sidomos, meshtarët e famullive të afërta, në veçanti dom Angjelin Krygja dhe dom Dino Çekrezi, që i kanë mbështetur kur ka munguar prifti nga Italia gjatë dy viteve. Edhe me punëtorët e Caritasit, që i kishim njohur para ardhjes sonë në Shqipëri.

Gjatë këtyre viteve këto misionarë kanë kuptuar që më shumë se puna e tyre, apo sasia e punës, ishte e rëndësishme të jetonin në vendin që Kisha i kishte dërguar, të bëheshim shenjë e dashurisë së Zotit drejt njerëzve që i takonin përditë dhe me të cilët jetonin. Edhe gabimet e gjuhës nuk na kanë penguar ta shpallim bukurinë dhe madhërinë e Atit që bëhet i afërmi nëpërmjet nesh – pohon Gofredo.

Në këto vite, këto misionarë përveç misionit në Mabë, kanë qenë të angazhuar edhe me detyra të tjera si p.sh.: Mariapalma, ka ndihmuar edhe Motrat Venerini për të hapur një shtëpi familje për vajzat në Gjadër; Gofredo e Tiziana  janë të angazhuar në komisionin dioqezan të Familjes, ku kanë një rol mjaft të rëndësishëm në organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij komisioni.

Në mbyllje të këtij rrëfimi, misionarët shprehen se kanë kaluar vite të bukura edhe pse të vështira, në të cilat kanë mësuar dita ditës që misioni është një marrëdhënie jo vetëm me fjalë apo duke dhënë, por edhe duke marrë. Kemi mësuar shumë gjëra nga njerëzit e pranishëm dhe gjithmonë të gatshëm të na dhuronin, përveç miqësisë së tyre, edhe vezë, qumësht, perime etj.

Këto vite na kanë pasuruar dhe na kanë bërë të shikojmë përtej pamjes, na kanë shtyrë përtej kufijve tanë për të ndërtuar urat drejt një njerëzimi të ri.

 

Marrë nga dëshmia e Gofredos, Tizianës dhe Mariapalmës 

Violeta Marashi

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here