Ndërsa Zoti thërret secilin prej nesh që të bashkëpunojë me të në përhapjen e Ungjillit, në realizimin e planit të shëlbimit, Hyji ka kërkuar gjithmonë bashkëpunimin e njeriut. Një ndër këto thirrje është edhe fra Emiljan Peci, i cili prej vitesh ka studiuar dhe është formuar në  rrugën e meshtarisë. E kështu, pas përfundimit të studimeve, në ditën e Shën Jozefit, 19 mars 2022, Etërit Karmelitan shpallën me gëzim Shugurimin Diakonal të fra Emiljanit, karmelitani i parë shqiptar që tashmë është një hap para finalizimit të thirrjes së tij për meshtar.

Për ta falenderuar Zotin për dhuratën që i bëri Dioqezës së Sapës, kishës dhe popullit të saj, ceremonia e Shugurimit u mbajt në Kishën e Shën Mëhillit dhe Familjes së Shenjtë në Karmel, me vendosjen e duarve të Shkëlqesisë së Tij, Imzot Simon Kulli, Ipeshkëv i Sapës.

Të pranishëm ishin populli i Zotit, meshtarët motrat, familjarët e fra Emiljanit miq dhe të ftuar. Pas shpalljes së Ungjillit, Eprori i etërve Karmelitan, At Mariano Tarantino, paraqiti kandidatin për shugurim para Ipeshkvit dhe besimtarëve të pranishëm. Dhe ai me pëlqimin e tij ju përgjigj Zotit “PO”, duke bërë që e gjithë bashkësia e besimtarëve ta shoqëronte në lutje gjatë këtij kremtimi të shenjtë.

Në predikimin e rastit Imzot Simon Kulli falenderoi fra Emiljanin që na ka bashkuar sot për t’ju përgjigjur Zotit “Ja ku jam!”. Kemi ardhur sot në familjen e Karmelit, në Nënshat, ku do të lutemi për ty dhe për mbarë kishën tonë. Dhe kemi arsye për ti dhënë lavdi Zotit që të thirri dhe për t’u gëzuar së bashku me psalmistin duke thënë: “Sot është dita që na e dhuroi Zoti”. Më tej ipeshkvi tha se kisha ka nevojë për djem që vendosin të shugurohen për shërbimin meshtarak, të cilët në botën e sotme bëhen peshkatarë njerëzish. Ndaj duhet një punë sensibilizimi duke përfshirë gjithë bashkësinë e krishterë duke ju bërë thirrje familjeve që ti hapen me zemërgjerësi dhuratës së jetës e t’i edukojnë bijtë e tyre të jenë të gatshëm ndaj vullnetit të Hyjit.

Me të mbaruar homelia, ipeshkvi kërkoi prej kandidatit gatishmërinë për të ushtruar shërbesën e diakonatit dhe për të jetuar një jetë në bindje dhe celibat, sipas dëshirës së Krishtit dhe Kishës së Tij. Vetë kandidati me pëlqimin e tij, iu përgjigj Zotit duke thënë “Ja ku jam o Zot!”
Më pas vazhduan ritet e pranimit të Urdhrit Diakonal, duke bërë që fra Emiljani të ushtrojë shërbesën e diakonatit me përvujtëri dhe dashuri në ndihmë e shërbim të Urdhrit Meshtarak dhe në shërbim të popullit të krishterë. Me shenjat e shërbesës së tij, tashmë Fra Emiljani i bashkohet krejtësisht familjes rregulltare të Etërve Karmelitanë,  dhe me shërbimin e tij birësor do të ofrohet në shërbim të elterit deri në shugurimin Meshtarak, duke u bashkuar kështu me familjen e madhe të Zotit, për t’i shërbyer Zotit dhe Kishës.

Violeta Marashi 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here