Solemniteti i të Dieles së Larit është kremtuar në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Vau Dejës. Liturgjia e kësaj të diele përkujtoi hyrjen solemne të Birit të Zotit, Jezu Krishtit në Jeruzalem dhe ngjarjen e mundimeve të Tija. Kisha, na thërret  që edhe ne të hyjmë në Javën e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, duke kujtuar dhe kremtuar misteret themelore të fesë së krishterë: kremtimin e mundimeve, të vdekjes mbi kryq dhe të ngjalljes së Jezu Krishtit, Shëlbuesit të njerëzimit.

Dhjetëra besimtarë u bashkuan në këtë kremtim, i cili filloi me procesionin e bekimit të larit që me degët e larit e të ullinjve u bashkuan në hyrje të qytetit në proçesion drejt Katedrales, për të vazhduar më pas në kremtimin e Meshës së Shenjtë, të udhëhequr nga Ipeshkvi i vendit, Imzot Simon Kulli në bashkëkremtim me famullitarin Dom Mark Shtjefni.

Ne do t’i marrim degët e larit e të ullinjve me vete në shtëpitë tona, për të kujtuar, takimin tonë me Zotin për lumturinë e shëlbimin tonë, për të kujtuar dhe pranuar kurdoherë bekimin e paqen Hyjnore, tha Imzot Simoni gjatë bekimit.

Ndërsa në predikimin e rastit, Ipeshkvi theksoi se për besimtarët e krishterë, kremtimi i riteve fetare nuk është koncert por pjesëmarrje në mistere të fesë, në mundimet, vdekjen e ngjalljen e Jezu Krishtit, Zotërisë së jetës së amshuar. Të krishterë nuk na bëjnë ritet fetare, por pjesëmarrja në vuajtjen e Zotit tonë Jezu Krishtit në jetën tokësore.

Çfarë do të thotë “të varfër në shpirt?”. Si mundemi konkretisht të bëjmë që kjo varfëri në shpirt të shndërrohet në mënyrë jete, të gdhendet konkretisht në ekzistencën tonë?

Ja tre pika:

Para së gjithash, kërkoni që të jeni të lirë përballë gjërave për të mos rënë në kulturën e konsumit. Ta vendosim Jezusin në vendin e parë. Ai mund të na lirojë nga idhujtaritë që na bëjnë skllevër. Besojuni Hyjit! Ai na njeh, na do dhe nuk na harron kurrë.

Në radhë të dytë, për ta jetuar këtë Lumturi, të gjithë kemi nevojë për kthim për sa i përket të varfërve. Duhet të kujdesemi për ta, se janë për ne një rast konkret i takimit me vetë Krishtin.

Pika e tretë – të varfrit nuk janë vetëm njerëz të cilëve mund t’u japim diçka. Edhe ata kanë shumë për të na ofruar, për të na mësuar. Në njëfarë mënyrë, të varfrit janë si mësuesit për ne –  përfundoi Imzot Kulli.

E me këto ndjenja shpirtërore le të vazhdojmë e ta jetojmë këtë javë të shenjtë që po fillojmë, duke përjetuar mundimet, vdekjen dhe Ringjalljen e Krishtit, në mënyrë që në jetën tonë të mbizotërojë drita e Krishtit që na drejton drejt të mirës dhe të vërtetës.

Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here