MOTËR MARIA KALETA DHE MOTËR ADELAJDE PASHKJA NDEROHEN ME TITULLIN “QYTETARE NDERI” TË BASHKISË VAU-DEJËS

0
2362

Në të kremten e festës së Shën Nikollit, në famullinë e Pistullit u kremtua festa e pajtorit të kësaj famullie, Shën Nikolli, i cili njihet edhe si pajtori i fëmijëve, i të rinjëve dhe i marinarëve. Të bashkuar në eukaristinë shenjte të kremtuar nga famullitari Dom Vincenc Pali, besimtarët e kësaj famullie duke kërkuar ndërmjetësinë e Shën Nikollit u lutën gjatë kësaj meshe për njetet e tyre, dhe falenderuan Zotin për hiret dhe bekimet e tij.

Përveç kremtimit të shenjtë, në këtë ditë feste, kjo bashkësi gëzoi edhe në një ceremoni tepër të thjeshtë dhe modeste, ku Bashkia Vau Dejës nderoi me titullin “Qytetare Nderi” të kësaj bashkie dy motrat më të vjetra stigmatine, dy martire të gjalla të fesë, Motër Marije Kaleta dhe Motër Adelajde Pashkja, duke motivuar kështu me pak fjalë veprën madhore të këtyre dy motrave. Përfaqësuesi i Bashkisë, z. Zef Vokrri, lexoi motivacionin e nderimit në të cilën ishte shkruar: “Për kontributin e jashtëzakonshëm, për shërbesën me zell dhe gatishmërinë e treguar në mbjelljen e farës së dashurisë e të paqes, në shërimin e plagëve shpirtërore dhe trupore përgjatë një kalvari të tmerrshëm në periudhën e errët të komunizmit, duke shërbyer me zell e përkushtim në ngritjen e vlerave më të larta dhe solidaritetit njerëzor.”

Mes emocioneve të shumta, motër Maria Kaleta shprehi falenderimet dhe mirënjohjen e saj për këtë titull të pamerituar shprehet ajo me gjithë modestinë që e karakterizon, e njëkohësisht iu dha bekimet e saj të gjithë banorëve brez pas brezi të famullisë Pistull, me të cilën ka ndarë pothuajse 90 vitet e jetës së saj. Me urimin “ju paçim sa më shumë në mesin tonë” u mbyll e gjithë kjo ceremoni e thjeshtë si veta jeta e tyre, por me domethënie të madhe dhe një dëshmi unike.

Motër Maria dhe motër Adelajda janë të vetmet motra që për fat të mirë Zoti ka dashtë që të jenë jetëgjatë, pa marrë parasysh kalvarin e vuajtjeve dhe mundimeve gjatë regjimit të diktaturës. Motër Adelajda gëzon plot 92 vjeç dhe motër Maria gëzon 90 vjeçe. Motër Maria tashmë njihet në të gjithë kombin shqiptar, e cila me dëshminë e saj duke rrëfyer kalvarin e mundimeve, përloti Atin e Shenjtë, Papa Françeskun, gjatë vizitës së tij historike në shtatorin e vitit 2014 në Tiranë.

Gjithashtu, në festën e Lajmërimit të Zotit që ndryshe njihet si festa e Zojës Nunciatë, datë 25 mars 2017, me kërkesën e Kuries Dioqezane të Sapës, motër Maria Kaleta është nderuar edhe nga Ati i Shenjtë Papa Françesku me dekoraten e “Kryqit të Lartë për Kishën e Papën” të themeluar kryesisht për ata që janë dalluar për përkushtimin, zellin, shërbimin dhe angazhimin e tyre.

Violeta Marashi

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here