Festa e Shën Nikollit në Malin e Rrëzuar ka qenë e veçantë për besimtarët katolikë të këtij vendi. Në vigjiljen e kësaj feste, u kremtua mesha e shenjtë e cila iu kushtua bekimit dhe vendosjes së këmbanave të kompanjelit të kishës së Shën Nikollit.

Nën organizimin e famullitarit dom Emiljan Paloka dhe mes besimtarëve të shumtë të pranishëm, mesha e shenjtë u kremtua nga ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, i cili tha se: “në vigjiljen e festës që jemi duke e kremtuar së bashku në ketë Kishë për t’i dhënë lavdi të Madhit Zot duke e nderuar dhe kërkuar ndihmën dhe ndërmjetësinë e Shën Kollit, ju falënderoj juve dhe famullitarin tuaj për bujarinë e treguar për Këmbanën e kësaj kishe. E së bashku me ju, edhe unë kam dashtë të jem gëzimi i juaj në këtë natë të madhe për ju, me realizimin e kërkesës suaj që të keni një Këmbanë, dhe me gjithë zemër ju kam dhuruar”. Ndaj ju ftoj – tha ipeshkvi, “që të luteni për mua dhe famullitarin sa herë që e dëgjoni këtë za që ju thërret për meshë. Është zëri i Zotit që na thërret të bashkohemi në tempullin e tij të shenjtë”.

Ndërsa famullitari, dom Emiljani vlerësoi shumë vendosjen për herë të parë të këmbanave në këtë vend, e cila është një ngjarje e rëndësishme për të gjithë besimtarët.

Vendosja e këmbanave është një investim që vjen si dhuratë për këto festa, është një investim që vjen për jetën shpirtërore të të gjithë kësaj grigje që bashkohet në lutje për mbarëvajtjen e jetës së secilit. Njëra prej këmbanave u bë e mundur falë bujarisë së ipeshkvit të vendit, Imzot Simon Kullit, i cili dhuroi nga vetja e tij të gjithë vlerën monetare për ta realizuar këtë vepër, kurse këmbana tjetër është mundësuar me kontributin e vetë besimtarëve të këtij fshati dhe famullitarit, dom Emiljan Paloka.

Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here