Ndërsa stina e Krishtlindjes na rrethon me gjithë lavdinë e saj, edhe në Dioqezën e Sapës ka filluar të ndizet atmosfera për kremtimet e kësaj feste që do të kumbojë me datën 25 dhjetor. Është kthyer në traditë që sipari i kësaj feste të fillojë me Koncertin e Krishtlindjes, të mbajtur në Katedralen e Shenjtërores Shqiptare “Nënë Tereza” në vigjilje të Ditës së Caritasit, ditës së Bamirësisë. Dhe nën organizimin e Caritas Sapa, jo pa qëllim, ndërsa i afrohemi Krishtlindjes, ky koncert na ndihmon të hyjmë në atmosferen e gëzueshme të Krishtlindjes; na ndihmon të hyjmë në madhështinë e lindjes së Jezusit. E po ashtu na shërben edhe si mundësi reflektimi për të gjithë ne që ti japim rëndësi veprës së bamirësisë në jetën tonë.
E kështu të bashkuar në katedralen e shën Terezes së Kalkutës, koncerti u ndoq nga një numër i madh të pranishëm, që soditën tingujt e muzikës dhe të poezisë. Të pranishëm ishin edhe autoritete civile si dhe miq të ardhur edhe nga Italia.
Në koncert morën pjesë artistët nga më të mirët të vendit tonë, që me talentin e tyre të dhuruar nga Zoti, po ashtu dhuruan falas edhe për të pranishmit. Pjesë e këtij koncerti ishin grupi Polifonik “Rozafa Expression” nën drejtimin e mjeshtrit Prof. Zef Çoba; artistja e mirënjohur, znj. Mariana Leka, soprano e njohur dhe pedagoge në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Justina Aliaj, këngëtare dhe aktore e mirënjohur nga qyteti i Shkodres. Bruno Shllaku, Aktor i mirënjohur i skenës shqiptare, si dhe Ivan Tanushi student në Shkollen e mesme artistike “Prenk Jakova”.
Të gjithë artistët sollën interpretimet e tyre duke përcjellë emocion tek publiku, dhe herë pas herë u duartrokitën me duarktrokitje të zjarrta.
Të pranishmit i përshëndeti edhe bariu i Dioqezës së Sapës, imzot Simon Kulli, i cili Ju uroj që nëpërmjet këngës që është e aftë të shprehë ndjenjat e thella të zemrës t’i jepet lavdi të Madhit Zot i cili krijoi veprat e mrekullueshme për të mirën dhe shëlbimin e njerëzimit. Ipeshkvi uroj gjithashtu, që kjo Krishtlindje, të na ndihmojë që ta pranojmë mësimin e dashurisë dhe thjeshtësisë së Foshnjës Hyjnore, ti japim jetës sonë dhe vendit tonë një frymëmarrje të re të të jetuarit në solidaritet, vëllazëri, dhe paqe mes njëri-tjetrit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here