“Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen mbas meje, nuk është i denjë për mua!”

(Mt 10, 38-39)

 

Janë këto fjalë të Jezusit me të cilat ne takohemi çdo ditë të jetës tonë. E mbi këto fjalë çdo periudhë të kohës së Kreshmeve është koha më e mirë e mundshme që ne të meditojmë, ti shqyrtojmë në mendjen, në zemrën tonë dhe në jetën tonë. Ndaj gjatë kësaj periudhe kreshmore në çdo famulli është kremtuar udha e kryqit me besimtarët.

Edhe të shtunën para të dielës së Larit, 13. 04. 2019, ndryshe nga herët e tjera, për herë të parë në Dioqezën e Sapës, rrëzë Katedrales së vjetër në Nënshat u zhvillua Udha e Kryqit e gjallë, nën organizimin e Etërve Kapuçin, motrave Stigmatine dhe besimtarëve të kësaj famullie, kryesisht të rinjtë.

Besimtarë të shumtë, të rinjë e të reja  me një pjesëmarrje të madhe dhe të devotshme  nga të gjitha famullitë e dioqezës u bashkuan në përshpirtërinë e Udhës së Kryqit të gjallë duke kujtuar mundimet e Zotit tonë Jezu Krishtit, por edhe duke kremtuar Ditën Botërore të Rinisë.

Gjatë Udhës së Kryqit aktorët e rinj realizuan në një mënyrë mjaft të bukur mundimet e Jezu Krishtit, duke përcjellur në zemrat e besimtarëve një emocion të madh e të jashtëzakonshëm, sa që shpeshherë të shoqëruar edhe me lot dhimbjeje. Kanë qenë momente mjaft prekëse, ku secili besimtar i ka përjetuar me një zemër plot me fe dhe me besim. Ishin mjaft rrënqethëse teksa shihej momentet më kulminante që Jezusi ka hequr në kryq, ku aktori kryesor që pati rolin e Jezusit, Xhulian Lukaj, nëpërmjet interpretimit të tij të përkryer i solli të gjalla kryqëzimet, mundimet, vdekjen dhe Ringjalljen e Jezusit.

Ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, në fjalën e tij, falenderoi të gjithë të pranishmit, por sidomos ato që e bënë të mundur një realizim të tillë dhe bëri thirrje që të kërkojmë të kthehemi kah Zoti. Kthimi kah Zoti është kthim kah Ringjallja e Krishtit. Në këtë ditë të sotme – tha imzot Simoni, kremtojmë edhe Ditën Botërore të Rinisë, përmes të cilës Papa iu drejtohet të rinjëve me porosinë e tij: “Unë jam Shërbëtorja e Zotit, më ndodhtë siç the ti!”  Ndaj, mjafton vetëm të kujtohet zbulimi se Krishti është Udha, e vërteta dhe Jeta. Sa kthime të zemrave, sa thirrje kanë buruar prej këtyre takimeve?! – theksoi ipeshkvi. Dhe dëshiroj – tha ai që edhe nga dioqeza e jonë të kemi thirrje meshtarake dhe rregulltare që burojnë nga këto takime, ashtu siç kemi patur edhe nga vitet e mëparshme. Me porosinë Mos harroni se Zoti don që të jemi të lumtur” – imzot Simoni përfundoi fjalën e tij, ku më pas iu dha bekimin të gjithë besimtarëve të pranishëm.

 

Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here