Shën Ndou njihet si shenjti më i dashur në botë për të gjithë dhe shenjti i mrekullive. Edhe për besimtarët tanë qëndron një devocion i madh dhe këtë gjë e dëshmon më së miri pjesëmarrja e tyre në kremtimet e rastit kushtuar këtij Shenjti.

Që prej 19 marsit kur filluan të martat kushtuar Shën Ndout, që ndryshe njihet edhe si shën Antoni i Padovës, kemi parë një pjesëmarrje mjaft aktive në të gjitha kishat ku kremtohet mesha e shenjtë në këto ditë. Edhe në kishat e dioqezës së Sapës, kryesisht në kishat që i kushtohen këtij shenjti, shtegtimi i besimtarëve ka qenë i pranishëm në çdo të marte për të marrë pjesë në Meshën Shenjte të kremtuar me këtë rast.

Një ndër këto shtegtime ka qenë edhe në ish trojet e kishës së Shën Ndout në Gomsiqe Jakaj, ku me dhjetëra besimtarë i janë bashkuar elterit të shenjtë në lutje për të kërkuar ndihmën e Zotit, për paqen dhe mbarësinë e tyre.

Edhe këtë të marte Mesha e Shenjtë është kremtuar nga ipeshkvi i vendit, Imzot Simon Kulli, i cili ka falenderuar Zotin që besimtarët ndjekin traditën e të parëve, trashëgiminë e gjyshërve të tyre duke ruajtur dhe mbajtur fort fenë e besimit në Krishtin Zot.  Është kjo trashëgimi shpirtërore tha imzot Simoni, që e mbartim edhe sot ne pa asnjë lëkundje, dhe që na mban gjallë duke u ushqyer dita-ditës me të. Mes të tjerash imzot Simoni u ndal edhe në figurën e Shenjtit të ditës, i cili edhe pse jetoi 36 vite mbi këtë tokë, la një vepër të mrekullueshme duke u njohur për ndërmjetësime dhe mrekulli, duke fituar një popullaritet kaq të madh sa që quhet shenjti i botës. Me lutjen e Shën Ndout dhe me bekimin e Zotit, besimtarët u shpërndanë duke marrë me vete ushqimin e shpirtit.

 

Violeta Marashi

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here