Në ditën e kremtimit  të festës së Rrëshajave famullisë së Shën Shtjefnit në Blinisht të Zadrimës iu shtua gëzimi i përurimit të Rrugës së këtij fshati kushtuar misionarit Italian, Mons. Antonio Sciarra. Një shenjë mirënjohjeje kjo dhe tepër modeste kundrejt misionit 20 vjeçar që zhvilloi dom Antonio në këtë zonë.  Ishte një dëshirë e famullitarit aktual, dom Enzo Zagos dhe e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që këtë dëshirë dhe kërkesë ia përcollën kryetarit të Bashkisë së Lezhës për miratim. Kërkesa u pranua menjëherë nga kryetari i bashkisë dhe këshilli bashkiak, të cilët i falënderojmë  për miratimin e këtij propozimi dhe për shpejtësinë e dekretit të botuar.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Don Enzo Zago, i cili udhëhoqi dhe Meshën Shenjte, besimtarë të shumtë, motrat e bashkësive rregulltare “Venerini” dhe “Punëtore të vogla të Familjes së Shenjtë”, autoritete të pushtetit lokal si dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të dom Antonio Sciarrës. E pranishme ishte edhe Elsa del Manzo, misionarja italiane që jetoi në këtë mision 23 vjet të jetës së saj. Ajo ishte e shoqëruar edhe nga meshtari i dioqezës së Avezzanos, don Carmine Di Benardo, i cili ishte i pranishëm në emrin e ipeshkvit të kësaj dioqeze, dhe të dy kishin ardhur enkas nga Italia për këtë ceremoni. Afërsinë e tij shpirtërore dhe mbështetjen e shprehi edhe edhe ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli nëpërmjet urimeve të tij, i cili për arsye të angazhimeve të shumta të kremtimit të sakramentit të Krezmimit në Katedralen Shën Nënë Tereza në Vau – Dejës, nuk mundi të ishte i pranishëm fizikisht.

Ishte një festë e bukur ku dhe Mesha e Rrëshajave i dha një kuptim kësaj nismeje. Mes emocioneve të shumta, Elsa del Manzo zbuloi pllakën “Rruga Monsinjor Antonio Sciarra”, e cila është një dhuratë dhe kujtim për besimtarët e Misionit Katolik Blinisht. Mirënjohja e popullit të Zadrimës për Dom Antonio Sciarrën mbetet e gjallë edhe përmes shenjës së kësaj rruge të dedikuar atij. Faleminderit!

Violeta Marashi

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here