Ditëve të para të shtatorit, (12.09.2020)  motër Ganxhe Drini (Lacini) i tha “Po” përgjithmonë Zotit. Ishte një ditë e shënuar për motër Ganxhen, e cila së bashku me bashkësinë e saj të Kongregatës së Motrave Dorote të Shën Paola Frassinetit, me gëzim të madh e kremtoi këtë ditë të kushtimit të jetës së saj Zotit. Ceremonia e këtij kremtimi ishte parashikuar që të mbahej në Shqipëri, pikërisht në Katedralen Shën Tereza e Kalkutës në Vau Dejës, por për shkak të situatës së Pandemisë, kjo ceremoni u mbajt në Itali në Kishën e Shën Ritës në Bolognja.

Mesha e Shenjtë u udhëhoq nga Kardinal Mateo Zuppi. Në duart e Madres Gjenerale  Motër Maria Da Conceição Ribeiro, dhe Provinciales Motër Silvia Ostren, motër Ganxhe me vullnet të lirë i tha “Po” Zotit, duke pranuar se është e gatshme të pranojë kushtet rregulltare dhe të lidhet ngushtë me të në familjen e Motrave Dorote.

Curriculum Motër Ganxhe Lacinaj (Drini)

Motër Ganxhe Drini Lacinaj është bijë e famullisë “Shën Gjon Bosko” në Sheqlet. Ajo ka lindur në Melgush Shkodër me datën 08.02.1974. Në moshën tre vjeçare është zhvendosur  në Shelqet. Babai ka punuar në Kooperativën Bujqësore, ndërsa nëna e saj është kujdesur për rritjen e fëmijëve. Shkollën fillore e kreu në Shelqet ndërsa tetëvjeçaren e  të Mesmen i bëri në  Mjedë. Shkollën e Mesme e pati kryer në vitin 1992-1993, kështu që Kisha jonë Shqiptare ishte në fillimin e hapave të parë.

Siç shprehet edhe vetë motër Ganxhe, gjatë viteve të shkollës së Mesme pasditeve bëja rolin e bariut, dhe në vend që të merrja librat e shkollës për të studiuar, merrja Biblen për të lexuar, sidomos Shëmbëlltyrat edhe Psalmet që kanë qenë e mbeten një thesar i  madh për rritjen time shpirtërore. Gjatë asaj kohe ajo mësoi shumë uratë Shenjtërish përmendësh saqë edhe sot e kësaj dite nuk i ka harruar. Madje ajo dëshmon se: nëna e nënës time (nana daje) më ka mësuar shumë Uratë të gjitha përmendësh që kurë isha fëmijë, nuk më lejonte që ti shkruaja se kishte frikë, sepse ishte koha e Komunizmit. Edhe më thoshte ti nuk duhet ti thush askujt që dinë të gjitha këto Uratë. Edhe Lutjen në gjuhën Greke *Kiri e Lei Son Krist e Lei Son* e pati mësuar që kur ishte fëmijë dhe kjo lutje e mrekullueshme më ka mbetur thellë e rrënjosur në zemrën time më jep shumë gëzim sa herë e dëgjoj në Meshën e Shejtë – shprehet motër Ganxhe.

Ishte 05 Janari i Viti 1986, kur axhat kishin ftuar fshehtas në shtëpi Don Zef Simonin. Atë natë unë jam Pagëzuar edhe të tjerët kanë marrë Sakramentet e nevojshme. Kur Don Zefi ishte gati për të dalë  nga shtëpia na tha: “Lutuni shumë për mua se nëse më zbulojnë se unë ju kam dhënë Sakramentet, nuk shkoj në shtëpi i gjallë”! Kjo fjalë më goditi fort në zemrën time dhe që nga ai moment e më pas unë jam lutur më me zemër edhe fshehtas. Në zemër kisha dy ndienja: e para nji gëzim të madh që kam marrë Sakramentin e Pagëzimit  e dyta nji frikë që të mos e zbulonte askush Don Zefin që na i ka dhënë Sakramentet. Sot pas shumë vitesh e me pot bindje mund të them se thirrjen time të parë e kam dëgjuar atë natë- dëshmon motër Ganxhe.

Ndërsa motër Ganxhe rritej, brenda saj rritej edhe dëshira për të qenë sa më afër kishës, e që në fillim të hapjes së Kishave ajo merrte pjesë çdo të dielë në Meshen e Shenjtë edhe në aktivitetet që ofronte Famullia ku jetonte në Shelqet. Në Meshën e Shenjtë kur Ungjilli fliste për thirrjet zemra e saj rrihte nga gëzimi. Kur ishte Ungjilli i  Lukës Kapitulli 5.1-11 “Thirrja e nxënësve të parë”, zemra ime donte të dilte nga kraharori kaq fort që rrihte – na tregon motër Ganxhe. E pas kësaj dëshire që i kishte lindur në zemër, në vitin 2004, ajo iu bashkua kongregatës së motrave Dorote që shërbenin në këtë famulli.

Me 17 Janar të Vitit 2007 filloi ecjen te Motrat Dorote. Përveç ecjes dhe formimit si motër, ajo bëri edhe shumë kurse të ndryshme në Shqipëri dhe në Itali.

Me 24 Shator të Vitit 2011 mori Kushtet e para në Romë.  Pa kushtimit të parë u kthye në Shqipëri dhe vazhdoi misionin e saj në Vau Dejës, në bashkësinë e motrave Dorote. Që prej shtatorit të 2019 u kthye sërish në Itali, dhe pas gjithë kësaj përgatitjeje Motër Ganxhe iu kushtua Zotit përjetësisht me datën 12 shtator 2020, në Bologna të Italisë.

Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here