Pas emërimit të Dom Mark Shtjefnit në detyrën e Rektorit të Seminarit “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër, duke u liruar kështu nga detyra e famullitarit të katedrales në Vau Dejës, Imzot Simon Kulli emëroi famullitarin e ri të kësaj katedraleje, Dom Kastriot Gjokën.
Fillimi i shërbimit të ri baritor të dom Kastriotit, e cila është një ngjarje e rëndësishme për jetën e kësaj bashkësie të krishterë, është shoqëruar me celebrimin e Meshës së Shenjtë të së dieles së 2 tetorit 2022, nga ipeshkvi i vendit, Imzot Simon Kulli.
Në fillim Imzot Simoni e falenderoi ish famullitarin dom Markun, për shërbimin e tij baritor të bërë në këtë famulli për 5 vjet, duke treguar një kujdes të veçantë ndaj besimtarëve.
Më pas prezantoi dom Kastriotin përpara besimtarëve duke i porositur që të kenë kujdes që ta nderoni, ta përkrahni të bashkëpunoni me famullitarin tuaj, ta ndihmoni, të luteni për të sepse ai është si një pjesëtar i familjeve tuaja; për gjithçka është afër jush dhe me ju… Në fund falenderoi dom Kastriotin për dëgjesën dhe pranimin e kësaj detyre të re, duke i uruar shërbim të mbarë në veprimtarinë pastorale, nëpërmjet dashurisë së Hyut dhe dashurisë së Nënës Qiellore, Zojës së bekuar.
Dom Kastriot Gjoka: lindi me dt. 11. 08. 1975 në Blinisht. Mësimet e para i mori në Blinisht të Zadrimës. Dom Kastriot Gjoka është ndër meshtarët e brezit të dytë të shuguruar pas diktaturës komuniste. Ai studio në seminarin “Zoja e Këshillit të Mirë në Shkodër dhe u shugurua meshtar me 29 qershor të vitit 2002. Jeta e tij meshtarake prej 20 vitesh ka qenë mjaft e frytshme ku ka shërbyer në famullitë e ndryshme të dioqezës së Sapës, si në famullinë e Pukës, Dajçit, Mabës, Shelqetit, Dejës dhe Gjegjanit. Po ashtu është dhe përgjegjës i Komisionit dioqezan të Familjes dhe të Legjionit të Marisë. Zoti i dhuroftë hirin që t’i shërbejë besnikërisht kësaj bashkësie famullitare duke kremtuar misteret e shenjta dhe duke dëshmuar dashurinë e Krishtit.
Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here