Prej 5 vitesh, së bashku me festën e Naltimit të Kryqit, Dioqeza e Sapës, përkujton edhe ditën e Shugurimit Ipeshkvor të Bariut të saj, Imzot Simon Kulli. Këtë 14 shtator, Imzot Simoni bashkëkremtoi me vëllezërit e tij në episkopat, Imzot Gjergj Meta dhe Imzot Arjan Dodaj, me familjen e tij të madhe dioqezane klerin, motrat dhe bashkëpunëtorët, me familjen e gjakut si dhe me miq dhe besimtarët e kësaj dioqeze.
Si zakonisht në fillim u mbajtën leximet e ditës, dhe më pas Imzot Simoni u ndal në predikimin e rastit, përmes së cilit kujtoi Festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë. Kjo ditë para së gjithash, na zbulon drurin e shenjtë mbi të cilën Zoti ynë Jezu Krishti e realizoi misionin e shëlbimit të njerëzimit – tha ipeshkvi. Kryqi në kohën e romakëve ishte shenjë e turpit sepse në kryq i kryqëzonin kriminelët dhe të këqijtë. Kryqi, prej kur është kryqëzuar Jezu Krishti e në veçanti pas ngjalljes së tij u bë mjet i shëlbimit dhe i shpëtimit. Nëpërmjet Kryqit të Krishtit të kryqëzuar ne e kemi jetën, ne e kemi shpërblimin dhe dhuratën e jetës së pasosur. Shikoni kryqin e Tij, ngjiteni tek Ai, le të shpëtoheni, sepse “ata që lënë veten e tyre të shpëtohen prej Tij janë të çliruar nga mëkati, nga trishtimi, nga zbrazëtia e brendshme, nga izolimi” Mes të tjerave, Imzot Simoni solli edhe shembuj në lidhje me kryqin, kryesisht gjatë kohës së diktaturës, ku sistemi i asaj kohe bëri që të hiqte lirinë fetare dhe mblodhi gjithçka që i përkiste besimit në Zot. Por ama kryqin që bëhet në ballë dhe në zemrën e njeriut nuk mundi ta hiqte kurrë, sespe nga besimi që kishin në Zot, besimtarët e kanë mbajtur atë gjithë jetën e tyre- përfundoi ipeshkvi.
Imzot Simoni i është falenderues Zotit për dhuratën që i ka bërë duke e zgjedhur ndër barinjtë që udhëheqin grigjën e Zotit, në veçanti Kishën dioqezane të Sapës, por shpreh edhe mirënjohjen e tij për gjithë familjen dioqezane që e mbështesin dhe falë bashkëpunimit të ngushtë kontribuojnë në jetën pastorale të kësaj dioqeze. Falenderoi të gjithë besimtarët e grigjës së tij për lutjet që e shoqërojnë çdo ditë, dhe ju kërkon atyre që të luten edhe për thirrje të reja. Me porosinë: Mbani të ngulur shikimin në Kryqin e Krishtit, vendi i saktë ku hetohet tërë Plani i Atit, Imzot Simoni, ia besoi Marisë misionin e tij baritor në këtë Dioqezë, e cila shikimin e vet nuk e ndan asnjëherë prej Kryqit të Birit.
Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here