Në ditën e Shën Markut ungjilltar, qindra besimtarë kanë shtegtuar drejt shenjtërores së Shën Markut, në malin e Dejës, që tashmë është shenjtërorja e Dioqezës, për të kremtuar festën e këtij shenjti.

Edhe pse rruga e vështirë për t’u ngjitur drejt kësaj shenjtëroreje, ajo nuk i ka penguar besimtarët, të cilët me devocion të madh kanë shtegtuar për të qenë të bashkuar në misterin e kësaj dite. Përveç besimtarëve dhe famullive të dioqezës sonë, nuk kanë munguar edhe besimtarët e fshatrave të tjerë përreth që përfshihen në dioqezën e Shkodrës.

Të gjithë besimtarët së bashku kanë lutur Rruzaren e Zojës së Bekuar, kanë derdhur lutjet e tyre në këtë vend të shenjtë, ku etërit tanë kanë ushqyer fenë e tyre që sot e trashëgojmë nga ata.

Me rastin e kësaj feste, me ftesë të famullitarit të Katedrales, dom Mark Shtjefni, i cili mbart dhe emrin e Shenjtit, nderoi me praninë e tij meshtari françeskan, At Gazmend Tinaj i cili i udhëhoqi Meshën Shenjte në bashkëkremtim edhe me meshtarët e dioqezës sonë.

Nga kjo shenjtërore besimtarët morën bekimin e Zotit nga meshtari kremtues, duke premtuar që gjithnjë të vazhdojnë t’i drejtojnë lutjet e tyre dhe besimin drejt Zotit, duke u munduar që në çdo mënyrë të duan njëri-tjetrin, ashtu si edhe vetë Krishti na e ka lënë: “Duajeni njëri-tjetrin ashtu siç ju unë desha ju”!

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here