Të dashur besimtarë, meshtarë, seminarist, rregulltarë dhe rregulltare,
shumë të dashur të sëmurë të Dioqezës së Sapës,

gëzimi i Pashkëve na nxit gjithmonë të jetojmë mrekullinë e Ngjalljes së Jezu Krishtit nga të vdekurit.

Edhe këtë vit dëshiroj të vij tek ju besimtarë të Dioqezës së Sapës dhe tek të gjithë njerëzit vullnet mirë me një mendim të thjeshtë që del nga zemra.

Krishti i Ngjallur është jeta jonë! Pa të është vetëm vdekje. Ngjallja e Jezusit është drita që e ndriçon ecjen e njerëzimit. Simbol i kësaj drite të Krishtit, është qiriu i pashkëve, që ndriçon natën e pashkëve kudo në kishat e mbarë botës.

E kemi ndezur qiriun e Pashkëve në terr; fjalët e bekimit të qiriut të pashkëve tingëllojnë fuqishëm: Krishti dje dhe sot. Fillimi dhe mbarimi. Atij i përkasin kohët dhe shekujt. Atij i qoftë lavdia dhe pushteti në shekuj e në amshim!”.

Këto fjalë së bashku me gjestet liturgjike të këtij kremtimi na bëjnë të marrim pjesë në misterin e natës së shenjtë dhe të bëhemi pjesëmarrës të Ngjalljes së Krishtit. Le ta ndezim edhe ne në zemrat tona këtë dritë shprese për ne, për familjet tona dhe për vendin tonë që ka nevojë të shohë të vërtetën dhe drejtësinë tek secili person.

Nuk mund të harrojmë fjalët e ëngjëllit: “Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur? Ai s’është këtu! U ngjall!” Ne që besojmë në Krishtin e Ringjallur kemi një mision ndaj shoqërisë sonë. Ti  tregojmë botës se Krishti u ngjall, Ai e mundi vdekjen!

Mjerisht shoqëria e jonë, vendi jonë dhe shumë anëtarë të familjeve tona e kërkojnë lumturinë në rrugë të gabueshme, si droga, lojërat e fatit, etj. Aty ku nuk mund të gjendet e pa Zot jeta e jonë dështon; pa Zot nuk ka lumturi dhe gëzim, por vetëm mjerim e vuajtje.

Ringjallja e Krishtit është themeli i shpresës që mund çdo dëshpërim dhe vuajtje. Qofshin këto Pashkë frymëzim shprese dhe burim bekimi për të gjithë vendin tonë! Amen!
Për shumë vjet Pashkët dhe Zoti ju bekoftë!

 

+ Mons. Simon Kulli

Ipeshkëv i Sapës

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here