Ndërsa po kalonte mesnata e 2 janarit, në moshën 92 vjeçe, Zoti e thirri pranë vetes motër Marije Kaletën, murgeshën stigmatine e fundit nga regjimi komunist, që me dëshminë e saj përloti edhe Papa Françeskun, gjatë vizitës së tij në Tiranë në shtator 2014. Nderimet dhe homazhet për motër Marijen u bënë në famullinë e Shën Nikollit në Pistull, ku jetoi gjithë jetën, dhe u kremtua edhe mesha për shpirtin e saj nga Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli.

Në predikimin e rastit, Imzot Simon Kulli, me shumë dhimbje dhe emocion përshkroi më së miri gjithë jetën e motër Marijes, me vuajtjet dhe gëzimet e saj. Për të gjithë ne ka qenë një zemër e madhe që me përvujtëri e shkriu jetën e vet, vetëm e vetëm për të dëshmuar Jezu Krishtin.

Pas homazheve në famullinë e Pistullit, arkëmorti u vendos drejt Kishës së Motrave Stigmatine në Shkodër, ku u kremtua mesha e Salikimit nga Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra, në bashkëkremtim me Ipeshkvin e Sapës, Ipeshkvin e Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta dhe meshtarë të tjerë.

 

Me pjesëmarrjen e shumtë të besimtarëve vendas, të familjarëve të saj, meshtarë dhe motrave, të gjithë u lutën për shpirtin e motër Marijes dhe e shoqëruan drejt banesës së amshimit ku u varros në varrezat e Rrmajit.

 

Kush ishte motër Marije Kaleta

Motër Maria Kaleta lindi me 10 nëntor 1929, në Nënshat të Shkodrës, nga prindërit Ëngjëll e Shuke Kaleta. Më vonë, në moshën 7 vjeçare bashkë me familjen u zhvendos në fshatin Pistull, ku jetoi deri në ditët e fundit të jetës së saj.

Emri i saj është i lidhur me dëshmitë e martirizimit të klerit katolik gjatë komunizmit, pasi motër Kaleta, ishte e mbesa e të Lumit Martir, dom Ndoc Sumës.

 

Pikërisht duke qëdruar me axhën e saj, që në vogëli ia ushqente dëshirën për lutje e dashurinë për Jezu Krishtin. Kështu, në moshën 10-vjeçare, hyri në kuvendin e motrave stigmatine në Nënshat të Zadrimës e pas një viti, pasi i bindi të gjithë për dëshirën e patundur të saj për t’u bërë murgeshë, pavarësisht nga mosha e vogël, më 11 dhjetor të vitit 1940 e çuan në kuvendin e stigmatineve në Shkodër. Aty jetoi 7 vite, deri më 1946, kur komunistët e sapoardhur në pushtet në Shqipëri, i nxorrën motrat nga kuvendi, sepse Zoti ishte për ta tepër i rrezikshëm. Me tu kthyer liria fetare në vitet 1991, motër Maria u rikthye te i njëjti kuvend për të vazhduar jetën e saj kushtuar Krishtit. Motër Marija Kaleta është ndër murgeshat e fundit dëshmitare e gjallë e vuajtjes dhe sakrifikimit nën regjimin komunist.

Motër Maria, apo siç e quanim të gjithë zona ku jetoi, halla Marije me dëshminë e saj të të jetuarit, me modelin e shenjtërisë dhe të shërbimit, zgjodhi të shërbente gjithmonë në heshtje, e mbi të gjitha të ungjillëzonte, kryesisht për thirrje të reja duke kryer misionin e vërtetë që vetë Zoti ia kishte caktuar. Edhe pse rrymat e kohëve ishin shumë të vështira, ajo nuk ndaloi veprën e të ungjillëzuarit në asnjë moment.

Të flasësh për motër Marian, nuk mjaftojnë fjalët tona, por mjafton duke menduar përvujtërinë dhe thjeshtësinë e saj treguar tek çdo person që e takoi në jetë.

Gjatë jetës së saj motër Maria u nderua edhe nga Ati i shenjtë me 25 mars 2017, me Kërkesë të Kuries Dioqezane të Sapës, me Medaljen e Kryqit të Artë; U nderua nga Bashkia Vau Dejës, me titullin “Qytetare Nderi”. Qendra Polivalente e Pistullit mban emrin e Motër Marijes. Dhe së fundi edhe Shkolla e Mesme e Bashkuar në Pistull, mban emrin e motër Marije Kaletes.

E tash ne na mbetet veçse te lutemi për shpirtin e saj e Zoti i pastë hapë dyert e parrizit.

Pusho në Paqen e amshueshme motër Marija.

Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here