Në festën e fëmijëve të pafajshëm, 28 dhjetor 2022, Dioqeza e Sapës dhe Bashkësia e Etërve Karmelitan gëzoi dhe galdoi për birin e saj që po i dhuronte jetën Krishtit, në Shugurimin Meshtarak të fra Emiljan Pecit, karmelitani i parë shqiptar.
Në bashkëndarje të këtij gëzimi dhe falënderimi ndaj Zotit, besimtarë të shumtë u bashkuan në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Vau-Dejës, për të marrë pjesë në këtë kremtim solemn, përmes lutjes së Shugurimit dhe vendosjes së duarve të Shkëlqesisë së Tij Imzot Simon Kullit .
Pas shpalljes së Ungjillit të ditës, në prani të popullit të Zotit, Provincialit Atë Gabriele Morra, të rreth 50 meshtarëve nga dioqezat e Shqipërisë, motra të kongregatave të ndryshme, familjarët dhe miqtë e meshtarit të ri, kandidati i përzgjedhur për shugurim, Fra Emiljani është thirrur nga Atë Miguel Márkuez Calle, Gjenerali i Etërve Karmelitan i ardhur nga Italia enkas për këtë ditë. Duke iu afruar Ipeshkvit me nderimin e duhur, kandidati është përgjigjur me fjalët: Ja ku jam!
Fjalën e rastit e mbajti vetë Bariu i kësaj grigje, Imzot Simoni duke thënë se: “mbarë Dioqeza e Sapës gëzon së bashku me psalmistin nën moton: “Të shërbej me gëzim o Zot në shtëpinë tënde”! Po, edhe ne të gjithë së bashku i themi këto fjalë: i shërbej Zotit me gëzim, për këto hire dhe dhurata, që i bëhet popullit tonë, provincës së Etërve Karmelitan dhe mbarë Kishës.Si të mos jetë sot kjo ditë e dhuruar prej Zotit, si mos të gëzohet sot ky vend e ky popull i cili, pas gjithë asaj që ka pësuar, në këtë kishë katedrale, po shugurohet meshtar frati i parë shqiptar karmelitan. Në vazhdim, ipeshkvi u ndal në porosinë për meshtarin e ri, duke i thënë: Mundoju që këtij populli të unshëm dhe të etshëm t’ia shpallesh emrin e Hyjit, t’ia sjellësh dritën e shëlbimit dhe t’ia japësh shijen e jetës me Zotin. Ki gjithmonë parasysh shembullin e meshtarëve martirë të fesë në vendin e popullin tonë. Detyrën tënde meshtarake ushtroje me përvujtëri dhe përshpirtëri, duke i bashkuar besimtarët në një familje të vetme, për ti drejtuar kah Hyji Atë, nëpërmjet Jezu Krishtit në Shpirtin Shenjt”.
Më pas Imzot Simoni vazhdoi me ritet e tjera të Shugurimit si marrjen e veshjes meshtarake, lyerjen krizmale dhe dorëzimin e bukës dhe të verës. Pikërisht në zemër të ritit të shugurimit të zgjedhurit iu dha dhurata e Shpirtit Shenjtë për shërbimin e meshtarisë (presbiterit). Ipeshkvi, e pas tij të gjithë meshtarët bashkëkremtues, në lutje të heshtur, vendosen duart mbi kryet e të zgjedhurit si shenjë e pranimit në presbiter. Dhe menjëherë pas këtij momenti, Ipeshkëvi shpalli mbi të zgjedhurin të gjunjëzuar përpara tij, lutjen solemne të shugurimit, me të cilën bekoi Hyjin Atë për dhuratën e “këtij bashkëpunëtori për ushtrimin e meshtarisë”, dhe kërkoi të përtërihet në të “dhënia e Shpirtit të Tij të shenjtërisë” që të plotësojnë me besnikëri shërbimin e tyre duke i drejtuar të gjithë, më së pari me shembullin e jetës.
Ndërsa në liturgjinë eukaristike që vazhdoi si zakonisht, i urdhëruari ushtroi për herë të parë ministerin e tij duke bashkëcelebruar me ipeshkvin dhe me gjymtyrë të tjera të meshtarisë.
Me Urdhërin e Shenjtë, Fra Emiljani filloi jetën e re meshtarake, ku Jezusi bëhet një në të e me të, duke i kërkuar gjithë vetveten. Të jetë bashkëpunëtor i denjë i urdhrit ipeshkvor, që fjala e Ungjillit nëpërmjet predikimit të tij, me hirin e Shpirtit Shenjt, të japë fryte në zemrën e njerëzve dhe të arrijë në skajet e botës.
Dhe nëpërmjet lutjeve drejtuar Zotit, kërkojmë që jeta e Fra Emiljanit të jetë e karakterizuar nga besnikëria dhe dashuria e Jezusit, që të jetë gjithnjë e më tepër shenjë e mëshirës së Tij.
Me këtë rit, biri i fshatit Kaçë të Zadrimës, Fra Emiljan Peci ju kushtua përjetësisht Zotit në Urdhrin e Meshtarisë.
Teksti & fotografia: Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here